Shqipëria me risi në ndeshjet e nëntorit

Futboll

Shqipëria me risi në ndeshjet e nëntorit

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 10:52
Shqipëria me risi në ndeshjet e nëntorit

Kombëtarja shqiptare do të luajë dy sfidat e ardhshme më 12 dhe 15 nëntor ndaj Anglisë në “Wembley” dhe ndaj Andorrës në Tiranë. Me shumë mundësi, në datën 7, trajneri Edi Reja do të shpallë edhe listën e lojtarëve që do të grumbullohen për dy sfidat e radhës.

Në përgjithësi kjo fundjavë ka qenë e mbarë për lojtarët legjionarë. Myrto Uzuni dhe Odise Roshi kanë shkëlqyer me skuadrat e veta, gjithashtu edhe Xhakomo Vrioni, i cili ka shënuar tri ndeshje radhazi për Tirolin në Austri. Sulmuesi mund të jetë risia në Kombëtare për këto dy takime, pasi në repartin e sulmit, Rei Manaj s’është zhbllokuar akoma dhe madje nuk është aktivizuar pothuajse fare me Specian në Itali, ndërsa Bekim Balaj sapo është rikthyer nga dëmtimi dhe nuk është në formën e tij më të mirë fizike.

Duke e nisur nga mbrojtja, Berat Gjimshiti nuk është ende gati, edhe pse ai është grumbulluar me skuadrën për ndeshjen e Ligës së Kampionëve. Trajneri Gasperini pak ditë më parë u shpreh se stafi i Atalantës nuk do që të rrezikojë duke e aktivizuar mbrojtësin dhe plani për të është që të rifillojë të luajë pas ndeshjeve të Kombëtares.

Në mesfushë në dyshim është Amir Abrashi, mesfushori mungon që prej 23 shtatorit, në ndeshjen Grasshopers-Lugano, ku pësoi sërish një dëmtim. Pothuajse një muaj e pak jashtë fushave, mund ta detyrojnë Abrashin që të mos jetë i gatshëm sërish për Kombëtaren në dy sfidat e nëntorit. Ndërkohë, kolegu i mesfushës, Klaus Gjasula, është rikthyer në stërvitje me skuadrën e tij Darmshtad, shkruan Panorama sport.

Mesfushori ishte i infektuar me COVID dhe iu deshën plot tri javë që të dilte negativ në testet e kryera. Në postimet e tij në rrjetet sociale, mesfushori duket se po kryen dy seanca stërvitore në ditë, një në fushë dhe një në palestër, për të rritur sa më shpejt kondicionin fizik.

Ka edhe buzëqeshje për trajnerin Edi Reja. Këtë fundjavë, lajme të mira kanë sjellë Qazim Laçi dhe Keidi Bare. Lojtari i Azhaksosë në Francë ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer si titullar në fushën e lojës. Laçi pritet t’i kthehet listës së lojtarëve të grumbulluar nga Reja. Ndërsa në Spanjë, Keidi Bare i çudit të gjithë dhe rikthehet të luajë më shpejt nga sa ishte menduar.

Fieraku u fut në ndeshjen mes Getafes dhe Espanjolit në minutën e 72- të dhe nuk pati shqetësime sa i përket dëmtimit. I besuari i Edi Rejës, pasi nën drejtimin e tij është futbollisti që ka luajtur më shumë, do të jetë në dispozicionin e trajnerit për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat