Nga derbi në derbi

Futboll

Nga derbi në derbi

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 13:35
Nga derbi në derbi

Nga derbi në derbi, me Vllazninë në mes. Orges Shehi mposhti minimalisht Partizanin, pastaj pushtoi Shkodrën 2-0. Sikurse thonë, nuk ka dy pa tre, ndaj synon ta ruajë këtë ecuri edhe nesër, ndaj Dinamos, në Kupën e Shqipërisë. Një përballje tejet interesante qysh në turin e dytë të këtij kompeticioni, që vlen trofe dhe pjesëmarrje në Kupat e Europës. Prandaj është një derbi që grish tifozët në “Air Albania”.

Para mediave, trajneri bardheblu bëri prognozën e tij: “Është e rëndësishme ndeshja ndaj Dinamos për historinë dhe përbërjen e skuadrave. Na pret një skuadër shumë të fortë, me individë shumë cilësorë. Duhet përqendrim dhe vlerësim maksimal, duke parë historinë dhe cilësinë që dinamovitët kanë brenda.

Me merkaton merret klubi, por nuk është ndonjë problem i madh dite. Ne ne nuk jemi në prag merkatoje. Problem quaj dëmtimin e Ismajlgecit, ndërsa Toli dhe Ngoo do të mungojnë nesër për shkak të kartonëve. Mungesa e Ismajlgecit na i shton problemet, jo merkatoja.

Nuk mendoj se ka vend për eufori te Tirana. Kemi luajtur vetëm 7 ndeshje, na presin edhe 29 të tjera në kampionat, plus sfidat e Kupës. Kurrsesi nuk duhet të biem pre e euforisë. Kupa ka dy takime, nuk është se vendoset gjithçka nesër. Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm. Është e rëndësishme që të vazhdojmë me këtë intensitet, impenjim dhe shpirt gare.

Kalendari? Kemi pasur një ngjeshje ndeshjesh, kemi luajtur me Partizanin të hënën, me Vllazninë të shtunën dhe do të luajmë edhe dy ndeshje të tjera brenda kësaj jave. Personalisht, ndeshjen në kampionat do ta doja të dielën, por kështu është kalendari. Kemi pak kohë për t’u rikuperuar.

Kërkoj nga skuadra impenjim maksimal nga minuta e parë deri në fund. Nuk duhet të jemi ekipi që sa të marrin dy apo tri fitore, të pushtojmë studiot televizive. Duhet të përqendrohemi vetëm te fusha dhe të jemi shumë seriozë.

Rivaliteti i derbit të kryeqytetit? Ndryshimi i vetëm është se ka impakt te njerëzit dhe tifozët. Jetohet me më shumë rivalitet derbi me Partizanin edhe për shkak se Dinamo ka pasur një shkëputje prej 9 vitesh nga Superiorja. Dinamo nuk ishte një skuadër që pretendon dhe kjo e ka zbehur disi rivalitetin. Janë dy skuadra me histori, i vetmi ndryshim qëndron te përjetimi që kanë lojtarët dhe tifozët.

Ky është një kampionat me shumë rivalitet, pavarësisht se disa skuadra nuk kanë pikët që prisnin. Sidoqoftë, kanë kaluar vetëm 7 javë dhe janë 7 skuadra të investuara e të ndërtuara mirë. Pra, mendoj se do të jetë një kampionat rivalizues. Vazhdimësia do të tregojë se cila skuadër do të jetë më kompetitive dhe më serioze për të vazhduar rrugën drejt titullit.

Në kampionatin tonë ka vetëm ndeshje të vështira, asnjë ndeshje të lehtë. Ndoshta Dinamo nuk ka rezultatet që priste, është skuadër e re, por me lojtarë plot eksperiencë. Shkalla e vështirësisë është e njëjtë si me Dinamon, si me çdo skuadër tjetër”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat