Për hakmarrje

Futboll

Për hakmarrje

Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 17:58
Për hakmarrje

Dy javë më parë Jose Mourinho pësonte një nga humbjet më të rënda në karrierë, pasi Roma e tij u mposht 6-1 nga norvegjezët e Bodo Glimt, të cilët u bënë skuadra e parë që i shënojnë 6 gola në një ndeshje, një ekipi të drejtuar nga portugezi.

Megjithatë koha e hakmarrjes vjen shpejt, pasi nesër në mbrëmje verdhekuqtë do të kenë mundësi të lajnë turpin në ndeshjen e kthimit në “Olimpico”, aty ku një fitore mund t’i çojë edhe më pranë kualifikimit për në fazën tjetër.

Jose Mourinho doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku refuzoi të bëjë polemika me arbitrimin në Itali dhe deklaroi se ndaj norvegjezëve të Bodo Glimt nuk do të luajnë të njëjtët futbollistë që u turpëruan në sfidën e parë.

“Nuk do të merrem me arbitrimin në Itali, pasi ju vetë i evidentonin problematikat. Sa i përket ndeshjes së parë me Bodon, gabuam të gjithë megjithatë nesër do të kemi mundësi të vëmë nderin në vend. Nuk do të luajnë të njëjtët me ndeshjen e parë, por nuk e kam ndarë ende mendjen për formacionin”, u shpreh portugezi.

Më pas tekniku i Romës u ndal edhe te performanca e individëve të veçantë, teksa pikërisht sulmuesi anglez Tammy Abraham dhe Nicolo Zaniolo janë ata që nuk po i përmbushin ende pritshmëritë.

“Abraham vjen nga një kulturë tjetër futbollistike dhe arbitrare, ndaj do t’i duhet pak kohë që të përshtatet, por jam i bindur që shumë shpejt do ta shohim fytyrën e tij të vërtetë. Deri tani ka treguar shumë pak nga cilësitë që disponon. Sa i përket Zaniolos, vjen pas dy dëmtimesh të rënda radhazi dhe sigurisht që ka disi droje kur zbret në fushë, por kjo është një plagë që e shëron vetëm koha”, tha Mourinho.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat