Tronditet kombëtarja e Gjermanisë

Futboll

Tronditet kombëtarja e Gjermanisë

Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 11:57
Tronditet kombëtarja e Gjermanisë

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) njoftoi të martën se pesë lojtarë të ekipit kombëtar do të hyjnë në karantinë, pas udhëzimeve nga stafi mjekësor. Lojtarët janë grumbulluar në Wolfsburg për stërvitje, përpara ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës 2022, të enjten kundër Lihtenshtajnit.

Lajmi vjen pasi autoritetet gjermane po bëjnë thirrje për kufizime më të rrepta, ngaqë numri i rasteve me COVID në vend po rritet gjithnjë e më shumë. Gazeta gjermane “Bild” raportoi se lojtari në fjalë, që doli pozitiv në testin PCR, ishte mbrojtësi i Bayern Munich, Niklas Süle. Megjithatë, nuk ka pasur një konfirmim zyrtar për identitetin e lojtarit të infektuar me koronavirus.

DFB tha se ai ishte plotësisht i vaksinuar dhe aktualisht pa simptoma. Katër lojtarë të tjerë u klasifikuan si kontakte direkte, ndaj janë future në karantinë, pavarësisht se rezultuan negativë në testin e parë.

Kombëtarja e trajnerit Hansi Flick, e cila gjithashtu do të përballet me Armeninë të dielën e ardhshme, tashmë është kualifikuar në finalet e Kupës së Botës të vitit të ardhshëm në Katar. Ndeshja e së enjtes nuk besohet të jetë në rrezik për momentin.

“Ky lajm, aq afër dy ndeshjeve të fundit kualifikuese të Kupës së Botës është shumë i hidhur, si për stafin stërvitor, ashtu edhe për të gjithë ekipin, por shëndeti është sigurisht i pari, – tha drejtori i DFB, Oliver Bierhoff. – I uroj lojtarit që rezultoi pozitiv shërim të shpejtë dhe të vazhdojë të mos shfaqë asnjë simptomë”.

Stërvitja e mëngjesit të së martës u anulua dhe lojtarëve iu tha të stërviteshin në seanca individuale. Fillimisht ishte e paqartë nëse Flick do të grumbullonte lojtarë të tjerë si zëvendësues. Lista e tij fillestare përbëhej nga 27 lojtarë, me mbrojtësin e Bayer Leverkusen, Jonathan Tah, i cili u shtua të hënën mbrëma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat