Mbyllet java e nëntë me emocione dhe goleada

Futboll

Mbyllet java e nëntë me emocione dhe goleada

Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 18:42
Mbyllet java e nëntë me emocione dhe goleada

Një tjetër javë emocionuese në kampionatin kombëtar të futbollit të femrave është zhvilluar këtë fundjavë. Dy derbi dhe një klasike e futbollit shqiptar, tashmë edhe te femrat kanë qenë kryefjala e kësaj jave në kampionat.

Tirana ka gjetur humbjen e parë në kampionat këtë fundjavë, me kryeqytetaset që u ndalën nga kampionet aktuale të Vllaznisë. Një humbje e hidhur për bardheblutë, të cilat pësuan shtatë gola që në pjesën e parë të takimit, teksa në fraksionin tjetër të lojës shkodranet shënuan edhe një golin e fundit që vulosi rezultatin 0-8.

Nga ana tjetër, Partizani vijon me ecurinë pozitive, teksa në derbin kryeqytetas ndaj Tirana AS ka arritur të fitojë me shifrat 5-0. Dopietat e Begallos dhe Locit dhe goli i Tabakut i dhanë tre pikët të kuqeve, që barazojnë me pikë ekipin e Tiranës, me 21 pikë, teksa Tirana AS ka pësuar një tjetër humbje, ndërsa ka marrë vetëm tre pikë në 8 javë kampionat.

Një tjetër ndeshje e fortë është luajtur në Durrës, mes Teutës dhe Atletik Club, me sfidën që u mbyll me rezultatin 2-3. Ishin shkodranet ato që kaluan të parat në avantazh me Armokun, por festa zgjati pak minuta pasi durrsaket barazuan dhe kaluan në epërsi po në pjesën e parë me Bushin dhe Pucën. Në fraksionin e dytë, Armoku barazoi shifrat në 2-2, ndërsa autogoli i Nacit në portën e saj do të sillte buzëqeshje te shkodranet, të cilat morën një trepikësh me vlerë në transfertën e Durrësit.

Apolonia nuk e diskutoi fitoren në derbin e Myzeqesë ndaj Lushnjes, teksa fieraket fituan bindshëm me shifrat 0-7 falë tripletës së Egzona Gashit dhe golave të Tukaj-t, Hamonikaj-t, Iliadhit dhe Liridona Gashit. Apolonia renditet tashmë në vendin e dytë, në të njëjtën kuotë pikësh, po aq sa Vllaznia e vendit të parë.

Në ndeshjen tjetër të kësaj të diele, Murlani fitoi në transfertën e Korçës, ndërsa mundi Skënderbeun me shifrat 1-4. Shkodranet kaluan që në minutat e para në epërsi me Ndocin, teksa në pjesën e dytë shënuan edhe Vishkulli e Vasa, e cila shënoi dy gola. Një fitore që i jep tre pikë skuadrës së Murlanit dhe renditet në vendin e pestë me 13 pikë.

Më poshtë rezultatet e ndeshjeve të javës së nëntë:

KF Teuta 2-3 Atletik Club

Tirana 0-8 Vllaznia

Partizani 5-0 Tirana AS

KF Skënderbeu 1-4 Murlani

Lushnja 0-7 Apolonia

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat