Kaos te Manchester Utd

Futboll

Kaos te Manchester Utd

Më: 6 janar 2022 Në ora: 11:56
Kaos te Manchester Utd

Ralf Rangnik është duke u përballur me revoltën e parë brenda dhomës së zhveshjes së Manchester Utd.

Mediat angleze raportojnë për një përçarje të skuadrës së gjermanit, që po has të njëjtat probleme si paraardhësi i tij Ole Gunar Solskjaer.

Një burim pranë klubit tha për “Mirror” se 11 futbollistë duan të largohen nga “Old Trafford”, pasi janë të zhgënjyer me trajtimin në skuadër nga tekniku i ri. Shumë prej lojtarëve nuk u pëlqejnë taktikat që përdor 63-vjeçari, i cili nuk e ka shumë të fortë pozicionin e tij, duke qenë se do të jetë në stol deri në fund të sezonit.

Disa prej lojtarëve janë të pakënaqur edhe me trajtimin e veçantë që i bëhet Kristiano Ronaldos, i cili është një titullar i padiskutueshëm. “Atmosfera është me të vërtetë e keqe dhe duket se do të ketë probleme të mëdha te Junajtidi”, deklaroi burimi i brendshëm i klubit.

Lingard, Van de Bek, Beili dhe Henderson janë mes emrave që janë të zhgënjyer nga Rangnik, i cili nuk po u jep shansin të luajnë.

Sipas “The Sun”, shumë prej yjeve të skuadrës janë të pakënaqur me ndikimin që disa shokë të tyre kanë te trajneri i ri në vendimet e rëndësishme.

Ata mendojnë se një pjesë e shokëve kanë trajtim special. Ljuk Shou akuzoi pas humbjes me Uolvesin se skuadrës i mungon fryma e grupit dhe motivimi. De Gea pati një përplasje në fushë me Ronaldon gjatë ndeshjes së fundit pas një topi të gabuar të portugezit, i cili rrezikoi që të transformohej në një autogol.

Ndërkohë që një burim i klubit tha për “The Sun”: “Lojtarët kanë grupimet e tyre, njëri prej të cilëve është që t’i bëjnë të tjerët të ndihen se është faji i tyre kur e gjithë skuadra është duke vuajtur. Lojtarët janë të demoralizuar. Kjo është një situatë e ngjashme me atë të vitit të shkuar kur gjërat shkuan keq”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat