Bulku: Kjo është dita e parë e seleksionimit

Futboll

Bulku: Kjo është dita e parë e seleksionimit

Më: 18 janar 2022 Në ora: 12:10
Bulku: Kjo është dita e parë e seleksionimit

Ekipi Kombëtar i Shqipërisë U-17 ka nisur grumbullimin treditor me lojtarë të vitlindjes 2006, të cilët aktivizohen jashtë vendit me klube të huaja. Trajneri Ervin Bulku dhe stafi i tij së bashku me 21 lojtarët e ftuar kanë zhvilluar sot në kompleksin Tropikal seancën e parë stërvitore për të parë në aksion elementët e sugjeruar nga skautët e FSHF-së nga vende të ndryshme të botës.

Lojtarët e përzgjedhur për këtë grumbullimin po ndiqen me shumë kujdes nga stafi teknik dhe specialistët e ekipeve kombëtare në mënyrë që të mund të evidentohen mes tyre elementë që kanë potencial e që mund të jenë pjesë e Kombëtares U-17 në vazhdim.

Në ditën e tretë të grumbullimit është programuar të zhvillohet edhe një ndeshje mes lojtarëve të Kombëtares U-17 që aktivizohen dhe luajnë në Shqipëri dhe lojtarëve që janë pjesë e kampionateve të huaja . Ndeshja do të zhvillohet më datë 20 janar në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, duke nisur nga ora 11:00.

Duke folur për Fshf.org, trajneri Bulku shpreh bindjen se ky seleksionim do të jetë i vlefshëm dhe se nga grupi i lojtarëve të përzgjedhur ka elementë cilësorë që do të mund të jenë pjesë e grupit që dotë përfaqësojë Shqipërinë U-17 në ndeshjet kualifikuese të Europianit të kësaj grupmoshe.

“Është seleksionim i parë me lojtarët që na janë sugjeruar nga ekspertët dhe skautët tanë që punojnë nëpër vende të ndryshme të botës, pra jo vetëm në Europë, pasi ka edhe nga SHBA dhe Kanada.

Ndërkohë, me grup-moshën 2006 që aktivizohen në kampionatin shqiptar ne kemi bërë edhe seleksionime të tjera. Kjo është dita e parë e seleksionimit për këtë grup-moshë me lojtarët shqiptarë që aktivizohen në klube të huaja”, – thotë Bulku.

“Në bazë të të dhënave që kemi nga skautët tanë, shpresojmë që nga ky seleksionim të kemi lojtarë cilësorë. Është normale që nga 21 lojtarë të thirrur, ndoshta nuk do të jene të gjithë kualitete të spikatura, por mendojmë që duke parë edhe lojtarët e kampionatit shqiptar dhe ata që vijnë nga jashtë të ndërthurim mes tyre lojtarët që kanë cilësitë më të mira dhe të jenë të gatshëm për grupin që do ta na përfaqësojë në eliminatoret e Europianit të ardhshëm”, – thekson tekniku i ekipit Kombëtar U-17, duke theksuar se seleksionime të tilla janë të domosdoshme dhe shërbejnë për të evidentimin e elementë të spikatur dhe formimin e grupit përfundimtar.

“Padyshim që çdo grupmoshë ka elementë të perspektivës, por kjo varet nga rrugëtimi që do të ndjekë grupmoshat 2004, 2005 dhe 2006, pra moshat që mund të luajnë në aktivitetet zyrtare të Kombëtareve U-17 dhe U-19, por edhe ekipet e tjera Kombëtare U-15, U-16 dhe U-18.

Janë të gjithë lojtarë që ne po i seleksionojmë, por këto seleksionime kanë pikërisht këtë vlerë. Edhe në këtë seleksionim ne do të zhvillojmë stërvitje për tre ditë, që lojtarët të ambientohen me njëri-tjetrin dhe ditën e enjte ne kemi programuar një ndeshje kontrolli ku do të vëmë përballë lojtarët më të mirë të seleksionuar nga të gjithë trajnerët e ekipeve Kombëtare të vitlindjes 2006 me lojtarët që janë sugjeruar nga skautët e FSHF-së e që vijnë nga jashtë vendit”, – deklaron ndër të tjera trajneri Ervin Bulku.

Ndërkaq, Kombëtarja U-17 ka planifikuar të zhvillojë disa grumbullime përgjatë këtij viti të ri, me lojtarë që luajnë në Shqipëri dhe në kampionatet e huaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat