Nuk e ka më për zemër Barcelonën

Futboll

Nuk e ka më për zemër Barcelonën

Më: 21 janar 2022 Në ora: 17:05
Nuk e ka më për zemër Barcelonën

Barcelona nuk është një nga klubet që ish-presidenti i Bajernit të Mynihut, Uli Hënes, e ka më shumë për zemër. E kundërta madje është e vërtetë. Sa herë që i jepet mundësia, ish-numri një i gjigantëve të Mynihut shigjeton klubin katalanas.

Kritikat e ashpra të tij nuk kanë të bëjnë me rezultatet në fushë të Barcelonës, por më së shumti ai e ka me drejtuesit, mënyrën se është menaxhuar ky klub. Barcelona është zhytur në një krizë të thellë financiare, teksa llogaritet që borxhi i saj kap shifrën e 1.3 miliardë eurove.

Ka qenë presidenti aktual Joan Laporta, i cili ka fajësuar paraardhësin e tij Josep Mari Bartomeu për menaxhimin skandaloz që e ka çuar klubin në kolaps financiar. Edhe pandemia e COVID-19 vetëm e ka përkeqësuar situatën dhe natyrisht problemet financiare te Barcelona nuk kanë mbetur pa u komentuar gjatë në Europë.

Këtë herë ish-numri një i Bajernit, Uli Hënes, ka shfrytëzuar një intervistë për gazetën e Mynihut, “Abendzeitiung”, për t’i lëshuar një tjetër shigjetë klubit katalanas.

Të gjithë lojtarët që shkojnë nëpër klube të ndryshme kanë kërkesat e tyre ekonomike dhe kjo është më se normale, por gjithnjë ka kufij që nuk duhen kapërcyer. Gjithnjë ka një vijë të kuqe. Vjen një moment dhe duhet të thuash ‘stop, boll më’. Këtë pozicion kam mbajtur edhe kur diskutohej e ardhmja e David Alabës.

Te Bajerni i Mynihut ne i tregojmë se cilët janë kufijtë tanë dhe nëse ata kalohen, gjithçka mbaron aty. Në këto kohë të thuash ‘jo’ është bërë një biznes i rëndësishëm. T’i bësh paratë e bankave rrush e kumbulla ‘alla Barcelona’ është shumë e lehtë. Por, art është të fitosh pa bërë çmenduri me shpenzimet dhe në Mynih duam të vijojmë me këtë model”, ka thënë Uli Hënes.

Në intervistën e tij për gazetën gjermane në fjalë, Hënes ka folur edhe për rinovimet, duke e vënë theksin te lojtarë si Manuel Noier, që sipas tij, do ta mbyllë karrierën në Mynih, për Gnabri dhe për Zylen. Për këtë të fundit ai ka lënë të hapur edhe mundësinë e largimit në rast mosarritjeje të një kompromisi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat