Kosova humb edhe një sportist! Ish gjyqtarët flasin për Sfarqën 

Futboll

Kosova humb edhe një sportist! Ish gjyqtarët flasin për Sfarqën 

Nga: Kemajl Goca Më: 29 janar 2022 Në ora: 14:49
Avdullah Sfarqa, majtas, Avdni hajdari në mes dhe Antigon Rexhepi, djathtas

Avdullah Sfarqa mbrëmë ka ndërruar jetë në moshën 58 vjeçare, ish gjyqtar i futbollit dhe kontribues i madh në sport.

Ikja e hershme e tij është një humbje e madhe për komunitetin e futbollit veçmas ferizajas. Sfarqa vuante nga një sëmundje e rëndë.

Sfarqa ka qenë një personalitet i veçantë, kudo i respektuar.  

Image

Avdullah Sfarqa dhe Muharrem Sfarqa

Gjithmonë i afërt me njerëz e motivues për brezat e ndryshëm.

Gjyqtar që kreu detyrat me përpikëri, sidomos në vitet më të vështira, në kohën e okupimit duke mos iu tremb asnjëherë syri nga regjimi kriminal serb. 

Kolegët e shumtë të tij të referimit, Veton Selmani, Avni Hajdari, Azem Goca, Antigon Rexhepi, janë të shokuar nga lajmi!

Ata thonë se Sfarqa ka qenë udhërrëfyes për brezat e rinj. 

Secili prej tyre e kujton kohën referimit me Sfarqën, për sakrificat në lojën më të popullarizuar në botë. 

“Kemi filluar nga kampionati 2000/2001 e deri në vitin 2015.

Fillimisht në Ligën e 3-të e duke u avancuar deri në Ligën e Parë të Kosovës. 

Avdullahu ka qenë asistent i imi në shumë ndeshje.

Sfidat kanë qenë të rënda, sidomos pas lufte ku nuk kishim siguri të mjaftueshme por ne asnjëherë nuk jemi dorëzuar dhe i kemi përfunduar ndeshjet në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Hajdari për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Antigon Rexhepi tha se ka qenë kënaqësi të referosh së bashku me Avdullahun.

“Avdullah Sfarqën ishte një zotëri i vërtet, kujtoj vitet që referuam bashkë, kaluam disa vite që kishin shumë sfida të ndryshme, ishin kohë ndryshe, unë si 16 - vjeçar shpesh dëshpërohesha me kushtet që kishim si gjyqtar, psh: infrastruktura sportive, siguria etj. axha Dullë gjithmonë ishte ai që me motivonte se do të bëhet mirë.

Ai me rrinte afër për çdo ndeshje që gjykonim... Do të kujtoj gjithmonë Avdullah Sfarqa”, tha Rexhepi. 

Veton Selmani, ish gjyqtar i mirënjohur, tha se është vështirë të pajtohet me ikjen në amshim të Avdullah Sfarqës.

“Në kohën e okupimit dhe pas luftës, së bashku e kemi ndarë drejtësinë. Jam shumë i mërzitur sepse ende nuk mund të besoj se Dulla ka ikë në amshim.

Ai ka dhënë shumë për futbollin dhe sportin, duke referuar në kohërat më të vështira. Ikja e tij e hershme është edhe një humbje e madhe për sportin në përgjithësi”, tha Selmani.

Ish gjyqtari Azem Goca tha se Avdullahu ka qenë i veçantë si në fushën e lojës si në jetën private.

“Është një humbje e madhe për komunitetin sportiv ikja e hershme e Avdullah Sfarqës. 

Ka qenë një gjyqtar i guximshëm në fushën e lojës, shumë i respektuar dhe një motivues i madh për gjithë.

Vdekja e tij na ka shokuar të gjithëve.  Kontributi i tij gjithmonë do të kujtohet në futboll e në sport. vepra e tij kurrë nuk do të vdesin”, tha Goca. Avdullahu është vëllau i ish kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat