Chelsea rrit çmimin e kartonit të shqiptarit

Futboll

Chelsea rrit çmimin e kartonit të shqiptarit

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 08:54
Chelsea rrit çmimin e kartonit të shqiptarit

Sauthemptoni ka kohë që i ka nisur bisedimet me Chelsea për transferimin e Armando Brojës, por forma që sulmuesi po kalon po i pengon ato.

Fillimisht blutë e Londrës ishin të gatshëm të uleshin në tavolinën e bisedimeve dhe të negocionin për shitjen e kartonit të sulmuesit të huazuar në “St Mary’s” këtë sezon për vlerën e 25 milionë paundëve.

Por 8 golat e 20- vjeçarit këtë sezon (6 në Premier Ligë) i kanë ndryshuar planet e Tomas Tuhelit për të ardhmen e talentit të akademisë në “Stamford Bridge”.

“Shenjtorët” ishin të gatshëm që ta paguanin këtë shifër, edhe pse ajo do të thyente rekordin e transferimit më të shtrenjtë të historisë së tyre.

Por sipas gazetarit të “The Sun”, Tom Barklej, plani i administratorit të Sauthemptonit, Martin Semens, ka marrë një goditje të rëndë.

“Me çdo ndeshje që kalon, mendoj se do të bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Një transferim përfundimtar duket me të vërtetë i vështirë, sepse vlera e tij vetëm rritet.

Semens tha se ata duan lojtarë të talentuar që t’i përmirësojnë, kështu që nuk mendoj se do të paguajë 40 milionë paund në mos më shumë, çka është vlerësimi i Çelsit për sulmuesin”, tha Barklej për “Givemesport”.

Rritja e çmimit të kartonit të sulmuesit shqiptar vjen edhe për shkak të rritjes së interesimit.

Përveç klubeve të Premier Ligës, edhe Bajerni dhe Dortmundi janë duke monitoruar situatën e tij.

Ndërsa eksperti i merkatos, Din Xhons, thotë se Lampard do të luftojë fort për ta transferuar talentin të cilit i dhuroi shansin e debutimit me Çelsin tek Evertoni në verë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat