Spikat derbi shkodran

Futboll

Spikat derbi shkodran

Më: 11 mars 2022 Në ora: 13:28
Spikat derbi shkodran

Kampionati i femrave do të rikthehet këtë fundjavë ku janë planifkuar të zhvillohen 4 sfida, të vlefshme për javën e 15-të.

Ditën e shtunë janë programuar të luhen tre takime, me përballjen Teuta – Partizani që do të jetë edhe sfida hapëse e kësaj jave. Durrsaket do të presin në shtëpi skuadrën e Partizanit, që vjen pas suksesit 7-0 ndaj Lushnjes, ndërsa ekipi i Teutës u mund nga Tirana. Dueli do të zhvillohet në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” në Durrës duke nisur në ora 13:00.

Në ora 14:30 do të luhen edhe dy sfidat e tjera të javës, Apolonia – Tirana AS, që do të zhvillohet në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” dhe Lushnja – Skënderbeu, që do të luhet në “Roza Haxhiu”.

Kryeqytetaset ashtu sikurse edhe myezeqaret, nuk kanë pasur një sezon të mirë futbollistik, duke u renditur në fundin e tabelës së klasifikimit. Apolonia vjen dukshëm më superiore në këtë takim ndaj Tirana AS, një sfidë e lehtë në letër për fieraket që renditen në vendin e dytë në kampionat dhe pretendojnë për titull kampion. Ndërkaq, korçaret do të udhëtojnë drejt Lushnjes, në përballjen e dytë për këtë sezon futbollistik, ku do të masin forcat me Lushnjen e vendit të fundit.

Kjo javë do të përmbyllet ditën e diel, me sfidën më interesante të javës, derbin verior “Atletik Club – Vllaznia”. Favorite në letër në këtë përballje pa dyshim që shihet skuadra e Vllaznisë, që përgjatë këtyre javëve nuk ka pësuar asnjë humbje, ndërsa skuadra e Atletik Club ka bërë një sezon të mirë, teksa e sheh veten në vendin e shtatë në kampionat. Gjithçka do të mësohet ditën e diel, me sfidën që luhet në Shkodër, në ora 14:00. Sakaq, ndeshja  Kinostudio – Murlani  do të zhvillohet në një ditë tjetër, që do të bëhet me dije në ditët në vijim.

Ndeshjet e javës së 15-të:

E shtunë, ora 13:00 Teuta – Partizani

E shtunë, ora 14:30 Apolonia – Tirana AS

E shtunë, ora 14:30 Lushnja – Skënderbeu

E diel, ora 14:00 Atletik Club – Vllaznia

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat