Fokusi te Gjeorgjia

Futboll

Fokusi te Gjeorgjia

Më: 27 mars 2022 Në ora: 14:32
Fokusi te Gjeorgjia

Shqipëria do të përmbyllë fushatën e përgatitjeve miqësore me përballjen ndaj Gjeorgjisë. Kuqezinjtë vijnë pas humbjes minimale 2-1 ndaj Spanjës, megjithatë ajo që vlen të theksohet është fakti që të besuarit e Edi Rejës zhvilluan një lojë të mirë duke i krijuar probleme një nga përfaqësueseve më të mira në botë.

Prova e radhës është e një shkalle vështirësie më të ulët. Shqipëria do të presë të martën në ‘Air Albania’ Gjeorgjinë, një përfaqësuese e lehtë në letër por që po kalon një moment shumë të mire, teksa në 4 sfidat e fundit numëron 4 fitore.

Një ecuri e shkëlqyer që pa ekipin e drejtuar nga ish-lojtari i famshëm Willy Sagnol të mposhtte edhe Kosovën në muajin Tetor. Gjithashtu, përballjet direkte mes kuqezinjve dhe Gjeorgjisë janë një sugjerim se nuk do të jetë aspak e thjeshtë.

Në total, Shqipëria është përplasur 13 herë me Gjeorgjinë, ku 3 fitore i takojnë ekipit tonë kombëtar, 7 përfaqësueses së Gjeorgjisë, ndërkohë që 3 sfida të tjera nuk kanë prodhuar fitues.

Takimi i fundit mes dy skuadrave i përket vitit 2015, kur në ‘Qemal Stafa’ sfida mbyllej në një barazim 2-2, ku kuqezinjtë vendosën në ekuilibra sfidën vetëm në minutat e fundit falë golave të realizuar nga Migjen Basha dhe Sokol Cikalleshi.

Ndërsa për të gjetur fitoren e fundit të Shqipërisë ndaj kombëtares gjeorgjiane duhet të kthehemi pas në 2005, në fitoren 3-1, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit.

Sidoqoftë, që nga përballjet e fundit ndaj Gjeorgjisë shumë gjëra kanë ndryshuar, me kombëtaren kuqezi që duhet të vijojë projeksionin e performancave pozitive, ndërkohë që ky test do i shërbejë jashtëzakonisht shumë edhe trajnerit Edi Reja për të përcaktuar lojtarët e duhur që do të na shërbejnë në sfidat e rëndësishme të ‘Nations League’ në Qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat