Varroset ideja e Botërorit çdo dy vjet

Futboll

Varroset ideja e Botërorit çdo dy vjet

Më: 1 prill 2022 Në ora: 13:02
Varroset ideja e Botërorit çdo dy vjet

Nëse ka nga ata që po buzëqeshin në Doha këto ditë, ata janë presidenti i UEFA-s, Ceferin, dhe ai i ECA-s (Shoqata e Klubeve Evropiane), Al Khelaïfi, i cili është edhe presidenti i PSG-së. Ajo që supozohej të ishte një javë vendimtare për të ardhmen e futbollit (mund të votohej modifikimi i kalendarit dhe zhvillimi i Kupës së Botës çdo dy vjet), ka çuar në një zbutje e presidentit të FIFA-s, Infantino, që duket se ka hequr dorë përfundimisht nga ideja për zhvillimin e Botërorit çdo dy vjet.

Në Kongresin e FIFA-s, para 211 federatave, Infantino u dorëzua kur tha se Kupa e Botës çdo dy vjet “nuk ishte një propozim nga FIFA-s”. Në të vërtetë, nuk ishte, pasi vinte si ide nga Arabia Saudite, të cilën FIFA e kishte bërë të vetën me force. Por kjo tërheqje ngjan më shumë si dështim i qeverisë së futbollit botëror.

Infantino e di se pa UEFA-n nuk mund të bëjë një ndryshim kaq drastik. Edhe pa CONMEBOL-in, i cili qysh në fillim e mbështeti Ceferinin. Gjëja e fundit që i duhej FIFA-s për të rrëzuar Kupën e saj të re të Botës çdo dy vjet ishte refuzimi energjik i klubeve, të organizuar në shoqatën që drejtohet pikërisht nga Al Khelaifi, aleat i Ceferinit për të rrëzuar edhe Superligën Evropiane.

Në vetëm pak muaj, drejtuesi nga Katari dhe homologu i tij slloven në UEFA kanë krijuar një kombinim mbrojtës të statusit aktual të futbollit. Ata mund të konsiderohen si fitues të mëdhenj. Një muaj më parë, Ceferin parashikoi tashmë se ideja e Infantinos për Kupën e Botës nuk do të materializohej. Këtë javë, në Kongresin e ECA-s, në Vjenë, Al Khelaïfi ishte i prerë për rrëzimin e planeve të FIFA-s.

Fituesit dihen, por nuk duan të rrahin gjoksin. Negociatat për rritjen e të ardhurave përmes kalendarit vazhdojnë. Dhe ata kanë dy plane, që duan t’I realizojnë: Liga e re e Kombeve të UEFA-s me përfshirjen e skuadrave nga Amerika e Jugut dhe Kupa e re e Botës për Klube me më shumë ekipe dhe më shumë fitim. Dhe për këtë, ata e kuptojnë, duhet miratimi i FIFA-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat