Dinamo “tradhtohet” edhe nga Simoni

Futboll

Dinamo “tradhtohet” edhe nga Simoni

Më: 24 prill 2022 Në ora: 18:54
Dinamo “tradhtohet” edhe nga Simoni

Dinamo bie sërish, këtë herë ndaj Teutës në “Elbasan Arena”, ku u mposht me rezultatin minimal 0-1 dhe regjistroi humbjen e 6 radhazi në kampionat, teksa shpresat për mbijetesë tashmë i mban gjallë vetëm matematika.

Kryeqytetasit u shfaqën sërish e njëjta skuadër apatike, thuajse si gjithmonë gjatë vitit 2022 dhe bënë shumë pak ndaj durrsakëve, të cilët gjithashtu nuk shkëlqyen, por u shpërblyen nga fati dhe morën tri pikët.

Gardiani Simon Simoni, një nga pikat më të forta të bluve të kryeqytetit këtë sezon, “tradhtoi’ të tijtë pasditen e sotme në “Elbasan Arena”, pasi shfaqi besim të tepruar në menaxhimin e një pasimi dhe nga kjo situatë përfitoi Rubin Hebaj, që i rrëmbeu topin dhe e dërgoi në rrjetë.

Nga ana tjetër, ishte pikërisht 17-vjeçari Simoni që bëri goditjen e vetme në portë për Dinamon, pikërisht në minutat shtesë, kur provoi me një roveshiatë, por nuk arriti të shijojë kënaqësinë e golit.

Me humbjen e sotme, Dinamo mbetet në kuotën e 23 pikëve, 11 pikë larg Egnatias në zonën Play Off, kur kanë mbetur edhe 18 në lojë, ndërsa Teuta ngjitet në kuotën e 36 pikëve, por mbetet e rrezikuar ende.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat