Komisioni i Futbollit të Fëmijëve e të Rinjve diskuton strategjinë e masivizimit të futbollit

Futboll

Komisioni i Futbollit të Fëmijëve e të Rinjve diskuton strategjinë e masivizimit të futbollit

Më: 4 maj 2022 Në ora: 18:43
Komisioni i Futbollit të Fëmijëve e të Rinjve diskuton strategjinë e masivizimit të futbollit

Komisioni i Futbollit të Fëmijëve dhe të Rinjve në FSHF ka zhvilluar sot mbledhjen e parë, ku anëtarët e komisionit u njohën me funksionimin e departamenteve përkatëse si Drejtoria e Futbollit të Bazës dhe e Garave dhe rolin që luajnë në organizimin e kompeticioneve tek të rinjtë.

Gjatë mbledhjes së këtij komisioni, që drejtohet nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Pano Xhixho dhe ku merr pjesë si anëtar Genc Tomorri, u diskutua çështja e masivizimit të futbollit të fëmijëve si një nga shtyllat kryesore të strategjisë së Federatës Shqiptare të Futbollit.

Një nga diskutimet ishte afrimi i më shumë fëmijëve të grup-moshave U7-U11 djem dhe veçanërisht vajzave, pasi fillimi i sportit në moshë të vogël rrit më shumë mundësinë e vazhdimësisë dhe dëshirës për të vazhduar futbollin.

Anëtarët e komisionit vlerësuan se kjo grup-moshë ka më shumë mundësi të afrohet me sportin e futbollit prandaj dhe fokusi i një plani vjetor sipas strategjisë për sezonin e ardhshëm do të përqendrohet kryesisht në këto mosha.

Gjithashtu, komisioni vlerësoi se përmirësimi i klimës së përgjithshme për afrimin e fëmijëve është edhe reduktimi ose heqja e kampionatizimit për grup-moshat nga U7 deri tek U11, duke marrë shkas nga presioni i panevojshëm kompetitiv te këto grup-mosha.

Komisioni do të mblidhet në javët në vijim për të diskutuar sërish për plane konkrete dhe duke marrë në analizë edhe opinionet nga klube, akademitë dhe trajnerë të moshave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat