Tre mungesa në derbi

Futboll

Tre mungesa në derbi

Më: 6 maj 2022 Në ora: 14:05
Tre mungesa në derbi

Tirana është gati për derbin me Partizanin. Bardheblutë do të sfidojë rivalët e përjetshëm të shtunën në “Elbasan Arena”, sfidë që nis prej orës 18:45 dhe që do të transmetohet në Supersport 3. Fitorja shpall Tiranën kampione për herë të 26-të në histori, teksa trajneri Orges Shehi preku disa tema të ndryshme në konferencën për mediet.

“Rëndësia e derbit dihet, nuk ka lidhje aspak klasifikimi. Të dyja ekipet kanë dy kampionate, brenda një kampionati. Është trofeu dhe vendi i parë, por është dhe derbi që është si një trofe. Do të jetë një ndeshje ndaj një rivali historik dhe do të bëjmë më të mirën tonë. Partizani është më i avantazhuar ndaj nesh dhe nuk do të doja që kalendari të mos ishte i tillë, sepse ka 24 orë më shumë se ne për të riaftësuar lojtarët“.

Më pas një mesazh për lojtarët e tij dhe situatën në ekipin kryesues, që nuk do të ketë shërbimet e Xhixhës, Devid dhe Najdovskit në derbi: “Duhet të ‘ftohim kokën’ dhe të jemi të qetë për ndeshjet në vijim. Këtë sfidë nuk jemi të plotë. Janë tre lojtarët tanë titullarë, janë tre lojtarë të rëndësishëm, por gjatë kampionatit ka pasur faza që kemi qenë dhe me kontingjent jo të plotë.

Do të zbresim në fushë me një formacion që do të bëjë më të mirën që këto mungesa të mos peshojnë shumë, por që dihen që janë mungesa të rëndësishme. Tifozët? Ata kanë qenë dhe do të jenë arma më e fortë e këtij klubi. Do të bëjmë maksimumin për t’i kënaqur ata. Ndeshjet e fundit nuk kemi qenë aty ku duhet, nuk kemi qenë në pritshmërinë e tifozëve.

Gjatë një kampionati ka momente të mira dhe të këqija. Nuk kemi pasur momente të këqija, normalisht që këto javët e fundit nuk kemi qenë aty ku duhet, por ka shumë faktorë që ndikojnë. Nuk ka më mirë sesa një sfidë derbi që të rikthejmë entuziazmin dhe dëshirën që kanë qenë pikat që na kanë munguar këtë periudhë”.

Shehi flet edhe për komunikimin me arbitrat. “Gjatë ndeshjes ka momente të tilla, kur arbitrin e ke afër, kërkon që të kesh një komunikim me të. Kemi pasur komunikim në kuadrin e kuptimit të dy situatave ku jemi, unë dhe arbitri, dhe çdo gjë ka qenë mirëkuptuese”.

Nuk mungon një thirrje për repartin e mbrojtjes: “Rrallë herë ka ndodhur në këtë kampionat që në çdo ndeshje radhazi ne pësojmë gol. Kjo nuk është gjë e mirë dhe do të punojmë në aspektin psikologjik që skuadra të mos humbasë përqendrimin. Ne përballë do të kemi një kundërshtar që është historik, përqendrimi nuk besoj se do të mungojë te lojtarët, por nuk dua të udhëhiqemi nga doza emocionale që pastaj të na bëjë ‘të na nxehet koka’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat