Çela paralajmëron

Futboll

Çela paralajmëron

Më: 7 maj 2022 Në ora: 13:58
Çela paralajmëron

Disfata me Skënderbeun ndali një seri të jashtëzakonshme prej 7 fitoresh radhazi për Kastriotin. Një humbje e papritur por jo e pashpjegueshme për trajnerin Emiljano Çela që vë theksin mbi të gjitha te shpirti i garës, cilësia që karakterizon skuadrën e tij dhe që nuk duhet të mungojë në asnjë sfidë.

“Të gjitha humbjet përjetohen njësoj, një ditë do të vinte. Kishim entuziazëm dhe vazhdimësi, erdhi një humbje e papritur ndaj Skënderbeut. Përqëndrimi dhe shpirti i garës janë cilësi të mira.

Janë ekipe më të mëdha që pa shpirt gare dhe përqëndrim dështojnë, pa këto dy komponentë këto cilësi bien poshtë. Kjo po ndodh edhe me Tiranën, kjo na ndodhi edhe ne dhe e gjitha kjo solli mungesën e shpirtit të garës”.

Gjithsesi trajneri që ka bërë një punë të mrekullueshme me krutanët, është i qetë për sa i përket rrezikut të përfshirjes në luftën për vendin e tetë, dhe beson se humbja në Korçë nuk do të ndikojë në transfertën e kësaj të diele me Laçin.

“Jo, ne objektivin tonë e kemi realizuar edhe pse jo matematikisht. Do të jemi të kujdesshëm, kalendari na favorizon. Kemi dy ndeshje në shtëpi dhe do të mundohemi të marrim maksimumin dhe mos të ndjejmë rrezik nga pas”.

Pas një serie ndeshjesh ku grupi është shtrydhur fizikisht dhe psikologjikisht, Çelës i duhet t’i japë frymëmarje disa prej lojtarëve duke paralajmëruar rotacion.

“Grupin e kemi të plotë, ka shenja lodhje sepse kemi pasur ngarkesë fizike dhe psikologjike.

Kemi luajtur ndeshje të vështira, kemi pasur ndeshje shumë të forta dhe i kemi luajtur si finale dhe lodhja ndihet.

Por, fatmirësisht kemi grup të plotë dhe lojtarët të tjerë që shpresoj se do të përfaqësohen denjësisht. Këtë ndeshje do të ketë rotacion, por me kujdes dhe nuk mund të bëhet një ndryshim masiv sepse prishet fizionimia e lojës, por me shumë kujdes do të përdorim rotacionin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat