Bare mbetet pa trajner

Futboll

Bare mbetet pa trajner

Më: 12 maj 2022 Në ora: 22:39
Bare mbetet pa trajner

Keidi Bare do të ketë një ndryshim të rëndësishëm në karrierën e tij duke filluar nga kjo verë.

Klubi i Espanjol pritet që të zyrtarizojë së shpejti largimin e Visente Moreno nga drejtimi i skuadrës, duke nisur kërkimin për një trajner të ri.

Moreno ishte trajneri i cili insistoi për firmën e Bares te Espanjol duke e vlerësuar si pjesë të rëndësishme të një projekti që do të kthente klubin në La Liga. Bare ia shpërbleu duke u kthyer menjëherë në një nga idhujt e tifozerisë së Espanjol.

Por në sezonin e kthimit në La Liga, ekipi zhvilloi një pjesë të dytë edicioni zhgënjyese dhe disa herë rrezikoi edhe mbijetesën. Dhe sapo u sigurua ajo, Çen Jangsheng, pronari i klubit, i ka komunikuar trajnerit Moreno shkarkimin, duke nisur kërkimin për një trajner të ri.

Pronarët kinezë mendojnë se Espanjol mund të rritë nivelin me një emër tjetër në pankinë dhe kanë nisur kontaktet me trajnerë të njohur në futbollin spanjoll. Kuptohet, kjo bën që për Baren të nisë gjithçka nga fillimi, pasi do t’i duhet t’i tregojë trajnerit të ri se e meriton një vend si titullar në sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, ai pret ftesën nga klubi për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve për rinovimin dhe përmirësimin e kushteve financiare të kontratës. Megjtihatë, Mao Je, shefi ekzekutiv i drejtuar nga pronarët kinezë, nuk e ka dhënë ende sinjalin pasi pret përfundimin e sezonit dhe pikërisht emërimin e trajnerit të ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat