Çfarë duhet të dini për finalen e 25 majit në Tiranë?

Futboll

Çfarë duhet të dini për finalen e 25 majit në Tiranë?

Më: 18 maj 2022 Në ora: 12:15
Çfarë duhet të dini për finalen e 25 majit në Tiranë?

Stadiumi “Air Albania” po bëhet gati të presë finalen e kompeticionit “UEFA Conference League”. Gjithçka është koordinuar me përfaqësues të UEFA-s për të pritur tifozët e Romës dhe Feyenoord.

Drejtori i stadiumit “Air Albania”, Kejdi Tomorri, në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes” në Euronews Albania tregon se plani i masave tashmë është hartuar dhe zbatimi do të nisë që nga aeroporti.

 “Për sigurinë e tifozëve, policia po merret me menaxhimin e tyre dhe po përpiqet që të paktën charterat të vijnë në mënyrë të diferencuar dhe pastaj nga stadiumi, secili grupim tifozësh ka edhe pikat e tyre të takimit. Tifozët e Romës do të takohen te liqeni, tek Amfiteatri dhe një pjesë tjetër te “Vëllezërit Frashëri” dhe për tifozët e Feyenoord, pika e takimit do të jetë te Pedonalja. Të gjithë autobusët e tifozëve që vijnë në mënyrë të grupuar, do të ndalojnë te pikat respektive, do të parkohen atje dhe tifozët do të mblidhen në ato vende.

Më pas do të bëhet edhe nisja për stadium, tifozët e Romës nga liqeni do të futen në pjesën jugore të stadiumit, ndërsa tifozët e Feyenoord do të vijnë nga Pedonalja dhe do të futen në pjesën jugore të stadiumit. Të dyja tifozeritë do të kenë rrugë të ndara, për mos t’u takuar me njëra-tjetrën”.

Për këtë finale do të vijë një numër i madh tifozësh dhe jo të gjithë mund ta ndjekin ndeshjen në stadium, por ata që do të hyjnë, do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë. “Për futjen brenda në stadium, në këtë ndeshje, ashtu si të gjitha finalet e UEFA-s, tifozët janë të pajisur me një biletë elektronike. Çdo person që ka biletën, e ka në telefonin e tij smart dhe kjo biletë është e pajisur me një QR Code, i cili aktivizohet në pjesën e jashtme të stadiumit dhe në pjesën e brendshme të stadiumit validohet. Çdo tifoz, me këtë biletë është i sigurt që mund të hyjë. Duke qenë elektronike, kjo biletë as nuk mund të kopjohet, as nuk mund të falsifikohet”.

Por çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet në stadium? “Tifozët nuk duhet të kenë çanta më të mëdha se një letër A4 dhe për këtë qëllim do të vendosen dy depozita çantash, ku njëra do të qëndrojë tek Universiteti dhe tjetra te hotel “Rogner”, ku do të ketë persona që do të merren me këtë punë dhe tifozët mund t’i rimarrin pas ndeshjes. Gjëra të tjera që tifozët nuk duhet të kenë janë fishekzjarre, lazer, shishet e ujit ose pije të tjera etj”.

Për shkak të pranisë së personaliteteve të larta të UEFA-s dhe interesit të madh të mediave të huaja, stadiumi ka humbur një pjesë të kapacitetit të tij. “Stadiumi “Air Albania” do të mirëpresë rreth 19.500 tifozë duke qenë se janë hequr një pjesë e stolave për të krijuar studio televizive dhe një pjesë tjetër për të krijuar tribunën e medias. Stadiumi ynë, që është i Kategorisë së Katërt, është në kapacitetet e kërkuara, por bëhet fjalë për një finale, ku pritshmëria është më e madhe.

Kërkesa nga media ka qenë shumë e lartë dhe një pjesë tjetër e stadiumit po kthehet për media. Edhe në pjesën e skybox-eve, një pjesë është pajisur me tavolina, pasi do të kthehet për mediat në këtë ndeshje”.

Gjithashtu, Kejdi Tomorri tregon edhe se ku do të pozicionohen personalitetet që pritet të mbërrijnë për këtë finale dhe tifozeritë përkatëse. 

“E gjithë tribuna qendrore është e menaxhuar totalisht nga UEFA, ku do të qëndrojnë personat VIP, të ftuar nga UEFA, si edhe partnerë dhe sponsorë të UEFA-s. Sa i përket pjesës tjetër, në tribunën përballë, në pjesën qendrore, duke u afruar cepave do të jetë sërish me partnerë të UEFA-s ose me tifozë shqiptarë dhe të dy cepat e stadiumit, nga pjesa qëndrore duke shkuar në cep, janë të rezervuara për skuadrat.

Tifozeria e Romës do të qëndrojë në pjesën jugore të stadiumit, ndërsa tifozeria e Feyenoord në pjesën veriore të stadiumit. Pjesa tjetër është për publikun e gjerë, ku rreth 88% e biletave që janë blerë, janë shqiptarë”.

Sakaq, për një event të këtyre përmasave, nevojitet edhe një siguri mjaft e lartë. “Sa i përket forcave të sigurisë, në stadium do të ketë rreth 650 stewardë dhe sa i përket pjesës tjetër, perimetri do të jetë i rrethuar edhe nga policia dhe bëhet fjalë për rreth 2000 forca policie që janë të angazhuar vetëm me pjesën e stadiumit, duke qenë se do të bëhet kontroll trupor nga policia dhe stewardët. Policia, sipas ligjit do të rrijë jashtë stadiumit, ndërsa brenda stadiumit do të menaxhohet me steward”.

Sa e vështirë ka qenë të mundësohej një finale e tillë në Shqipëri? – “Finalja duket sikur ka ardhur tani, pasi të gjithë dëgjojnë datën 25, por kjo është fryt i një pune 5 vjeçare të FSHF-së, duke bërë disa aplikime. Janë bërë disa dosje shumë voluminoze dhe nuk i përmbushëm të gjitha kërkesat, por kjo ka ardhur falë lobimit të FSHF-së që u bë e mundur realizimi i kësaj finaleje në Tiranë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat