Klopp kërcënon Realin

Futboll

Klopp kërcënon Realin

Më: 19 maj 2022 Në ora: 13:06
Klopp kërcënon Realin

Jyrgen Klop i ka krahasuar lojtarët e tij të stolit si Ferrari në garazh pas fitores 2-1 ndaj Sauthemptonit.

Trajneri i Liverpulit bëri 9 ndryshime në skuadër nga finalja e Kupës FA kundër Çelsit (luajti 120 minuta në “Wembley” të shtunën) në sfidën e javës së parafundit të Premier Ligës të martën, ndërsa ishte pa dyshen e dëmtuar në finale Mohamed Salah dhe Virxhil van Dajk. “Reds”-at fituan 2-1 me përmbysje dhe iu afruan Mançester Sitit kryesues -1 pikë në javën e fundit, e cila do të luhet të dielën në orën 17:00.

Liverpuli luan ndaj Uolvesit, ndërsa sezonin e mbyll me finalen e Champions-it më 28 maj kundër Realit të Madridit në Paris.

Golat e Liverpulit u shënuan nga Minamino dhe Matip, ndërsa trajneri u kërkoi edhe një ndjesë lojtarëve që kanë luajtur shumë pak këtë sezon. Minamino luajti vetëm ndeshjen e parë titullar në Premier Ligë këtë sezon, ndërsa 7 lojtarë të tjerë të formacionit titullar nuk bënin bashkë as 10 ndeshje si titullarë në kampionat këtë sezon.

“Takumi nuk luan shumë shpesh. Është një krim. U kërkoj ndjesë. Çembërlein, i cili është në formë të shkëlqyer nuk është pjesë e skuadrës shumë shpesh. Eliot nuk kishte luajtur për një kohë të gjatë.

Xhons gjithashtu. Dhe këta djem janë në lartësinë e detyrës. Kjo është e pabesueshme. Të bësh 9 ndryshime dhe të kesh këtë lloj paraqitjeje është e jashtëzakonshme. Ne do të kishim pasur shumë më tepër probleme nëse do të kishim luajtur me djemtë që luajtën 120 minuta të shtunën. Këta djem janë të shkëlqyer.

Është sikur të kesh Ferrari në garazh”, komentoi gjermani, për të vazhduar: “Çfarëdo të ndodhë këtë vit do të ndodhë prej këtij grupi të shkëlqyer.

Janë të jashtëzakonshëm dhe e treguan edhe një herë. Unë sigurisht që pres që ata të reagojnë siç reaguan, por kjo nuk është normale. Është speciale. Dhe ky grup është me të vërtetë special”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat