Bierhoff sulmon Katarin

Futboll

Bierhoff sulmon Katarin

Më: 11 qershor 2022 Në ora: 13:50
Bierhoff sulmon Katarin

“Trajtimi i homoseksualëve në Katar është absolutisht i papranueshëm”. Ky është konkluzioni i drejtorit të Federatës Gjermane të Futbollit, Oliver Bierhoff, në një intervistë për mediat e grupit “Funke” (gazetat rajonale gjermane).

Legjislacioni i vendit që do të presë fazën finale të Kupës së Botëssë këtij vitit (21 nëntor-18 dhjetor) e kriminalizon homoseksualitetin. “Kjo nuk korrespondon në asnjë mënyrë me bindjet e mia, – nënvizon Bierhoff. – Çfarë kriteresh përdor FIFA në të vërtetë për t’ia dhënë një vendi fazën finale të një Kupe Bote?”

Ish-sulmuesi i njohur Gjermani beson se dhënia e një turneu të tillë globaj të futbollit është arma më e fuqishme për të nxitur ndryshime thelbësore në këtë drejtim. Por këto ndryshime, sipas tij, “duhet të ndodhin para përcaktimit të vendit dhe jo më pas, përndryshe nuk kemi më mjete presioni”.

Kombëtarja gjermane, e cila dëshiron të jetë vitrinë e vlerave të Gjermanisë moderne, përtej futbollit, do të vazhdojë të shprehet për këto çështje, sipas Bierhoff: “Mendoj se në përgjithësi është mirë që ne të vazhdojmë të flasim për këto çështje jashtë fushës sportive, për të rritur ndërgjegjësimin e publikut”.

Jo rasti i parë i mbrojtjes së LGBT –  UEFA kishte bllokuar planin e Gjermanisë për ta ndriçuar pjesën e jashtme të “Allianz Arena” me ngjyrat e ylberit, gjatë ndeshjes së “Euro 2020” me Hungarinë. Kishte pasur akuza për pankarta anti-LGBT +, që ishin shfaqur në Budapest më herët, në këtë kompeticion. Hungaria sapo kishte miratuar legjislacionin që ndalon shkollat ​​të shpërndajnë përmbajtje që konsiderohen promovim i homoseksualitetit dhe ndryshimit gjinor.

Përkundër mbështetjes lokale në Gjermani për solidarizim ndaj njerëzve LGBT +, UEFA njoftoi se do të ndalonte ndriçimin me ngjyrat e këtij komuniteti gjatë ndeshjes së Grupit F. Kjo, për të mbajtur qëndrim neutral në lidhje me çështjet politike.

Ja deklarata e UEFA-s asokohe: “Racizmi, homofobia, seksizmi dhe të gjitha format e diskriminimit janë një njollë në shoqëritë tona; përfaqësojnë një nga problemet më të mëdha, me të cilat përballemi sot. Sjellja diskriminuese ka dëmtuar dy ndeshje të Europianit gjatë lojës, si dhe jashtë stadiumeve, me ligjërimin në internet rreth sportit që duam.

Megjithatë, UEFA, përmes statutit të saj është një organizatë neutrale për çështjet politike dhe fetare. Duke pasur parasysh kontekstin politik të kësaj kërkese specifike, një mesazh që synon vendimin e marrë nga parlamenti kombëtar hungarez, UEFA e refuzon këtë kërkesë të autoriteteve gjermane”.

Mesfushori gjerman, Leon Goretzka ishte midis shumë anëtarëve të ekipit të tij kombëtar, që mbështeti simbolikën e LGBT +: “Do të ishte plotësisht absurde nëse do të duhej të kërkonim falje për të, sepse është absolutisht e qartë se çfarë përfaqëson kjo. Ne si një botë futbolli duam t’i kundërvihemi racizmit dhe homofobisë me shumëllojshmëri”.

Situata e “Allianz Arena” vinte pasi UEFA fillimisht nisi një hetim mbi shiritin me ngjyrat e ylberit të Manuel Neuer, që e mbajti në krahë gjatë ndeshjeve të “Euro 2020”. Mes presionit, organi drejtues i futbollit europian u tërhoq dhe justifikoi: “Shiriti i kapitenit është vlerësuar si një simbol i ekipit për diversitetin dhe kësisoji ka qenë për një kauzë të mirë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat