Barcelona del nga tuneli

Futboll

Barcelona del nga tuneli

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 23:23
Laporta

Përpjekjet e presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, nuk kanë shkuar dëm. Pas muajsh pune dhe bisedimesh, klubi katalanas ka zyrtarizuar marrëveshjen me kompaninë amerikane “Sixth Stree” për shitjen e 10% të të drejtave TV të klubit në La Liga për 25 vitet e ardhshme.

Lajmin e ka bërë zyrtar vetë Barcelona nëpërmjet një komunikate për mediat, ku ka saktësuar dhe hollësitë e marrëveshjes. Sipas klubit dhe mediave spanjolle, Barcelona ka mundur të arkëtojë plot 207,5 milionë euro nga marrëveshja me “Sixth Street”.

Kjo shumë e majme pritet ta ndihmojë jo pak Barcelonën në fushatën e saj të blerjeve që kishte mbetur peng e problemeve financiare të klubit. Sipas gazetës “Mundo Deportivo”, tashmë bilanci i klubit mund të rregullohet ndjeshëm për sezonin e ri. Por nga ana tjetër, te Barça shpresojnë të arkëtojnë dhe të tjera miliona nga shitja e pjesës tjetër të të drejtave TV që është në kuotën e 15%.

Pas arritjes së marrëveshjes me “Sixth Street” në limitet e kohës – dje ka qenë data e fundit e bilancit vjetor të klubeve në La Liga – që e ka nxjerrë “mbi ujë” klubin katalanas, ka ardhur edhe reagimi i presidentit Joan Laporta.

“Ne po aktivizojmë levat tona ekonomike dhe po zbatojmë strategjinë tonë të durueshme, të qëndrueshme dhe efikase për të forcuar bazën financiare të klubit – tha Joan Laporta, presidenti i Barcelonës – ‘Sixth Street’ është një mbështetës i fortë i futbollit, është një investitor me përvojë në sport dhe media globale, si partner do të sjellë njohuri dhe burime të rëndësishme duke na lejuar të menaxhojmë në mënyrë të pavarur operacionet tona”.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesi i kompanisë amerikane, Alan Uoksman, ka nënvizuar se kjo është një marrëveshje në leverdi të të dyja palëve. Por Barcelona nuk dëshiron të ndalet këtu. Klubi ka bërë me dije se shumë shpejt do të nxjerrë në shitje dhe paketën e dytë të të drejtës televizive. Bëhet fjalë për një paketë me 15% aksione nga shitja e të cilave në Barcelonë shpresojnë të arkëtojnë ndërmjet 300 dhe 400 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat