Spalletti: Ishte demonstrim force

Futboll

Spalletti: Ishte demonstrim force

Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 12:28
Spalletti: Ishte demonstrim force

Në Itali nuk ka dalë ende një skuadër që të mposhtë Napolin e Spallettit. Në transfertën e Bergamos, as Atalanta nuk ka arritur dot ta ndalë vrullin “Axurr”, duke u sjellë këtyre të fundit fitoren e nëntë radhazi në kampionat dhe vazhdimin e marshimit të qetë në krye të klasifikimit me 6 pikë diferencë nga vendi i dytë, pozicion që u lëshua pikërisht nga bargamaskët dhe që mbahet nga Milani.

“Ishte një demonstrim force, pasi Atalanta është një skuadër shumë e fortë dhe ka bërë një ndeshje të madhe, por djemtë e mi janë mësuar me përballje të tilla dhe nuk kanë frikë t’i luajnë ato. Duhet të vazhdojmë të bëjmë lojën tonë”, ishte fjala e Spaletit në përfundim.

Për t’iu rikthyer sërish sfidës, tri pikët e siguruara nga napolitanët erdhën pas një fillimi të vështirë dhe pas një ndeshjeje të vuajtur, që e bëri akoma edhe më speciale fitoren e djemve të Spaletit, që këtë herë nuk mund të mbështetej as te Kvaratskhelia i dëmtuar. E pavarësisht kësaj,

Napoli konfirmoi jo vetëm lojën e bukur që kishte treguar deri më tani, por konfirmoi edhe se di të vuajë dhe të reagojë, madje edhe se po shijon qendërsulmuesin në formë fantastike. Pasi Lukman kaloi në avantazh Atalantën falë një penalltie në minutën e 19′-të, Osimhen nuk do të vononte për të rivendosur baraspeshën vetëm 4 minuta më vonë, ndërkohë që në të 35′- tën do t’i shtonte edhe një asist mbrëmjes së tij me atë shërbim për Elmas, që nuk gabon para Musos.

Sidoqoftë, në pjesën e dytë përballë një Atalante kurajoze, Napoli u detyrua të qëndronte në pritje, me ekipin e Gasperinit që nuk arriti dot të konkretizonte rastet e veta. Detyrimi për të luajtur në sulm, në kërkim të golit të barazimit, nuk i dha hapësirë aktivizimi mbrojtësit të Kombëtares, Berat Gjimshiti, që pas rikthimit nga dëmtimi, kishte luajtur të paktën 30 minuta në secilën prej dy ndeshjeve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat