Greca pret fitoren

Futboll

Greca pret fitoren

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 13:09
Greca pret fitoren

Ndeshja që do të zhvillohet këtë fundjavë, në stadiumin e Kamzës, kundër Kukësit, po pritet me shumë interes në radhët e sportdashësve krutanë.

Dhe pse prej vitesh skuadra e Kastriotit, ndeshjet brenda i zhvillon në Kamzë, prezenca e tifozërisë krutane nuk ka munguar. Ka të ngjarë që dhe ndeshjen e së dielës ta ndjekin një numër i konsiderueshëm sportdashësish krutanë.

Fitorja ndaj Bylisit në Kamzë dhe barazimi në transfertë ndaj Erzenit, javën e kaluar, ka shtuar dukshëm atmosferën pozitive në skuadër.

“Atmosfera në skuadër është mjaft e mirë dhe kjo ka ndikuar pozitivisht që skuadra të jetë e përqendruar në marrjen e ngarkesës stërvitore, për të përballuar me suksese një ndeshje siç është kjo me Kukësin”, shprehet për gazetën “Panorama Sport”, mesfushori i krutanëve, Bedri Greca, që ka të dytin sezon që luan për ngjyrat e skuadrës krutane.

Ndërkohë në vijim të prononcimit të tij, mesfushori, i bën një analizë, të shkurtër ndeshjeve të skuadrës së tij.

Sipas 32-vjeçarit, skuadra duhej të ishte më lart në renditje, por sa për mungesë të fatit dhe për ndonjë hap të gabuar, skuadra mbetet në këtë renditje që ka aktualisht.

“Në përgjithësi deri tani kemi bërë një kampionat të kënaqshëm. Jemi përfaqësuar denjësisht me ekipe të elitës të kampionatit dhe kemi guxuar t’ju marrim dhe pikë.

Duhet të pranojmë se duhet të ishim më mirë në renditje, por sa për mungesë fati, apo, dhe për ndonjë gabim tonin, kemi këtë renditje që kemi aktualisht”, shprehet me të tjerash mesfushori Greca.

Ashtu si çdo ndeshje edhe kjo e radhës ndaj Kukësit, për mesfushorin krutan, merr rëndësi të veçantë, për vetë pozitat që kanë skuadrat në renditje.

“Nuk duhet të na mashtrojë renditja aktuale e kundërshtarit. Vlerësimi ndaj Kukësit është maksimal. Kundërshtari ka futbollistë cilësorë dhe kjo duhet të na motivojë shumë.

Jam optimist se skuadra do të dijë të tregoj vlerat e saj. Klima e mirë që kemi në skuadër, na motivon për të dhënë maksimumin. Marrja e tri pikëve është detyrë primare për secilin prej nesh.

Ne e kemi treguar veten se ndaj të mëdhenjve dimë të fitojmë dhe jam i bindur se një gjë e tillë se do të ndodhë dhe këtë javë”, shprehet plot siguri, mesfushori Bedri Greca, autori i golit te barazimit në ndeshjen e fundit ndaj Erzenit në transfertë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat