Kukësi kërkon ringritjen

Futboll

Kukësi kërkon ringritjen

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 13:05
Kukësi kërkon ringritjen

Kalendari i ka rezervuar Kukësit një përballje me Teutën në shtëpi, kundërshtarin e vetëm që ka për momentin poshtë vetes në klasifikim.

Objektivi i vetëm në këtë sfidë do të jetë fitorja, sepse në të kundërt verilindorët vazhdojnë të vënë në rrezik serioz jo vetëm arritjen e objektivave të fillimsezonit, por edhe të vetë mbijetesës.

Rrallëherë, për të mos thënë asnjëherë, përgjatë këtyre 10 viteve, këto dy skuadra nuk kanë pasur një përballje me aromë mbijetese, duke parë pozitat që kanë aktualisht në renditje.

Për këtë arsye, e gjithë vëmendja në këto ditë stërvitje është përqendruar pikërisht te ndeshja me durrsakët, me Dobin, që po provon edhe skemat për të dërguar skuadrën te fitorja, e cila mungon prej katër javësh radhazi.

Një fitore do të rifuste në shina sërish skuadrën, e cila po përjeton një nga momentet më të vështira të saj në elitë.

BILANCI – Teuta nuk ka qenë asnjëherë një kundërshtar i lehtë për Kukësin, sidomos këto sezonet e fundit.

Ndonëse në tërësi verilindorët e kanë pozitiv bilancin me djemtë e detit, teksa nga 49 përballje në total, numërojnë 20 fitore, 16 barazime dhe 13 fitore për durrsakët, nuk kanë një bilanc të mirë në ndeshjet e fundit.

Mjafton të thuhet se në 11 përballjet e fundit, duke përfshirë edhe dy takimet në Kupë, Kukësi nuk e ka mundur asnjëherë Teutën.

Fitorja e fundit daton më 11 korrik të 2020-ës, në atë fitore të pastër 3-0, më gola të Limajt dhe dopietë të Kuperit.

Që nga ajo kohë, skuadrat janë ndeshur 11 herë të tjera, me durrsakët, që kanë fituar gjashtë dhe pesë sfida janë ndalur në barazim.

Të dhëna këto, që tregojnë se kuksianët do të kenë në disfavor edhe ecurinë në përballjet direkte këto dy sezonet e fundit, sepse kanë harruar të fitojnë.

Me pak fjalë, blutë kanë arritur të marrin tri pikët në kohën kur vendi dhe e gjitha bota ishte prekur nga ethet e pandemisë së COVID-19 dhe kampionati u shty për në verë për shkak të ndërprerjes disa javore.

Megjithatë, këto janë thjesht të dhëna që përgjatë një 90- minutëshi nuk kanë asnjë vlerë, por në njëfarë mënyre tregojnë edhe problemet që Kukësi ka hasur me Teutën përgjatë këtyre dy sezoneve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat