Rrëfen sekretin e suksesit ndaj Spanjë

Futboll

Rrëfen sekretin e suksesit ndaj Spanjë

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 23:16
Rrëfen sekretin e suksesit ndaj Spanjë

Jasin Bono është kthyer në fenomenin e ditës në Marok. Pas penalltive të pritura ndaj Spanjës, portieri i kombëtares afrikane ka zënë faqet e para të shtypit maroken dhe jo vetëm. Ai madje shihet si heroi i Marokut.

“E vërteta është se, kur je në këtë situatë, nuk e asimilon plotësisht atë që ke arritur. Por unë jam i lumtur. Ne e dimë se duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe të kemi parasysh atë që na pret përpara.

Ne jemi shumë të lumtur që gjërat kanë shkuar për mbarë dhe besoj se kalimin e ditëve ndoshta do të kuptojmë se çfarë kemi arritur”, komentoi Bono me shumë thjeshtësi pas suksesit kundër Spanjës.

Ndryshe nga futbollistët e tjerë, Bono njihet për modestinë e tij. Bono ka lindur në Kanada, në Montreal, teksa kujton se babai i tij ishte profesor fizike. Kur Bono ishte tre vjeç, së bashku me familjen u kthyen në Marok, për shkak se mamaja e tij nuk mundi të përshtatej me jetën dhe kulturën kanadeze. Në një intervistë të disa kohëve më parë Bono ka treguar se gjatë fëmijërisë luante futboll rrugëve të lagjes. Babai i tij nuk ka dashur që ai të merrej me futboll dhe për këtë shpesh e kritikonte.

“Kam ardhur që i vogël në Spanjë, ku punoja ma dajat e mi në tregun e Saragozës”, rrëfente Bono. Por me kalimin e viteve ai nisi të përmbushë ëndrrën e tij deri në suksesin aktual me Seviljen në La Liga dhe mbi të gjitha me Marokun, ku falë tij, skuadra afrikane ka siguruar një vend mes tetë më të mirave të botës.

Dhe natyrisht që ai nuk i ka shpëtuar syrit të mediave ndërkombëtare që janë marrë gjatë me të. Bono ka rrëfyer për mediat argjentinase dhe çelësin e suksesit të Marokut kundër Spanjës. Ai ka nënvizuar se Maroku ka fituar me një stil alla-Simeone. “Të luash ballë për ballë futboll të hapur me Spanjën është një vetëvrasje. Ne e kishim të qartë strategjinë tonë, vendosëm të luajmë si një skuadër alla-Simeone. Dhe në fund ia dolëm”, ka nënvizuar Bono për “ESPN Argentina”.

Gjatë intervistës së tij, portieri i Marokut ka vënë në dukje dhe mbështetjen e fuqishme të tifozëve marokenë që kanë qenë të shumtë në Katar.

“Ne e kemi ndjerë mbështetjen dhe dashurinë e të gjithë tifozëve tanë, qoftë nga Maroku apo dhe tifozëve tanë në Katar. Kjo na jep forcë që të jemi në gjendje të shfaqim futbollin më të mirë të mundshëm. Më duhet të falënderoj të gjithë bashkëlojtarët e mi që më kanë ndihmuar. Ka qenë një përpjekje kolosale. Unë i duartrokas për punën e tyre. Dhe kjo dhuratë është për të gjithë njerëzit tanë”, ka thënë Bono.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat