Simoni “Talenti i Vitit”

Futboll

Simoni “Talenti i Vitit”

Më: 27 janar 2023 Në ora: 19:57
Simon Simoni

Simon Simoni i shpallet “Talenti i Vitit 2022” në futbollin shqiptar.

Gardiani nga Shënkolli spikati me Dinamon në Superiore e Kategorinë e Parë, duke treguar cilësi të jashtëzakonshme, edhe pse ende adoleshent.

Simon Simoni u transferua në ditët e fundit të dhjetorit nga ekipi i Dinamos tek Eintracht Frankfurt, duke realizuar një nga lëvizjet më të bujshme të futbollit shqiptar.

Portieri 18-vjeçar do të jetë pjesë e futbollit gjerman, në një nga ekipet më të mira.

I formuar në Akademinë Shënkollit dhe i spikatur te Dinamo, futbollisti për shkak të impenjimeve me ekipin e ri, nuk mundi që të ishte pjesë e mbrëmjes, por në një video përshëndetëse falënderoi të gjithë ata që e kanë përkrahur e kanë besuar te ai.

“Mirëmbrëma të gjithëve! Në radhë të parë ndihem i nderuar për këtë çmim që po marr sot.

Do të doja t’ju falënderoja nga afër, por për shkak të impenjimit që kam me ekipin nuk munda të jem sot në sallë.

Ky çmim në veçanti i dedikohet familjes time që ka mbështetur gjatë gjithë kohës, personave që më kanë qëndruar afër dhe më kanë ndihmuar në zhvillimin tim ditë pas dite, trajnerëve të Akademisë së Shënkollit dhe Dinamos e gjithashtu trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave.

Besoj se në Shqipëri ka mjaftueshëm talente që kanë cilësi, por duke punuar shumë dhe duke u stërvitur shumë mund të arrijnë në klube të njohura europiane. Ju uroj suksese në vijim”, u shpreh portieri.

Arinaldo Rrapaj i Partizanit dhe Rejan Alivoda i Vllaznisë ishin dy futbollistët e tjerë që garonin për çmimin “Talenti i Vitit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat