Oferta nga Anglia, Spanja e Turqia, por shqiptari i refuzon

Futboll

Oferta nga Anglia, Spanja e Turqia, por shqiptari i refuzon

Më: 29 janar 2023 Në ora: 20:47
Uzuni

Myrto Uzuni ka qenë personazhi kryesor i kësaj fundjave në La Liga 2 pasi me dy golat e tij ndihmoi Granadën të fitonte një ndeshje të komplikuar përballë Andorras.

Sulmuesi shqiptar kësisoj regjistroi sezonin e tij më të mirë në karrierë me 14 gola të shënuar në një kampionat, duke u konfirmuar në një formë të shkëlqyer.

Paraqitje të cilat i shtohen të mëparshmeve dhe që kanë bërë të zgjohet interesi i klubeve të rëndësishme.

Nëse fillimisht flitej për skuadra të La Liga si Betis apo Sevilla që po monitoronin lojtarin e kombëtares shqiptare, ditët e fundit nga Spanja ka ardhur edhe lajmi se Galatasaray, Leeds e Brentford po monitorojnë lojtarin.

Por po nga Spanja, prestigjiozja “AS” bën të ditur se Uzuni nuk do të ndryshojë skuadër gjatë janarit.

Në fakt, ka qenë vetë futbollisti ai i cili ka bërë të qartë gjatë kësaj periudhe se nuk mendon të largohet nga Granada, pasi dëshiron të kthehet në La Liga si protagonist me këtë ekip, pasi provoi shijen e saj në sezonin e kaluar.

Uzuni nënshkroi rinovimin me Granadën në tetorin e vitit 2022 teksa u vendosën edhe klauzola largimi të veçanta për cilindo klub që dëshiron lojtarin.

Nëse Uzuni kërkon të largohet drejt një skuadre tjetër me Granadën si pjesë e La Liga 2, atëherë klauzola e tij vlen 12 milionë euro. Por nëse Granada siguron ngjitjen në La Liga, atëherë vlera e klauzolës së tij shkon në 18 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat