Granada e varur nga Uzuni

Futboll

Granada e varur nga Uzuni

Më: 19 mars 2023 Në ora: 11:59
Uzuni

Myrto Uzuni është padyshim lojtari më në formë i Kombëtares së Shqipërisë.

Beratasi u bë protagonist dhe në ndeshjen e javës së 32-të në La Liga 2 ndaj Albacete. Ai shënoi një gol dhe dha një asist në suksesin 1-2 të Granadës.

Tashmë, Uzuni është ngjitur në kuotën e 20 golave në kampionat.

27-vjeçari është jo vetëm shënuesi më i mirë i skuadrës së tij, por dhe lideri i shënuesve në ligën e dytë spanjolle.

Sulmuesi po kalon edicionin e tij më të mirë të karrierës deri më tani. Granada, nga kontributi i sulmuesit të Shqipërisë e sheh veten mes skuadrave favorite për tu ngjitur në La Liga edicionin e ardhshëm.

Në këtë edicion, Granada ka shënuar 43 gola, por në më shumë se gjysmën e tyre ka lënë shenjë Uzuni.

Sulmuesi kuqezi, krahas 20 golave që ka shënuar ka dhuruar dhe 4 asiste, duke kontribuar në 24 gola.

Shifra të jashtëzakonshme me lojtarin që duke nisur nga e hëna do të jetë nën urdhrat e Sylvinhos për ndeshjen ndaj Polonisë. Me besimin se do të vijojë me të njëjtin ritëm dhe me fanellën kuqezi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat