Sulejmani nuk mjafton, Shqipëria U17 merr një pikë në “Air Albania”

Futboll

Sulejmani nuk mjafton, Shqipëria U17 merr një pikë në “Air Albania”

Më: 25 mars 2023 Në ora: 20:35
Kombëtarja e 17-vjeçarëve të Shqipërisë

Kombëtarja e 17-vjeçarëve të Shqipërisë barazoi 1-1 në ndeshjen e dytë të Elite Round ndaj Zvicrës, duke marrë pikën e parë në grup.

Një rezultat që komplikon llogaritë e kualifikimit. Skuadra e Ervin Bulkut do luajë shanset e fundit ndaj Letonisë, kundër të cilëve që do të ndeshet në datën 28 mars.

Në sfidën e luajtur në “Air Albania”, kuqezinjtë e vegjël e gjetën golin e avantazhit në minutën e 14-të falë Flavio Sulejmanit. Presingu i sulmuesit bëri efekt.

17-vjeçari i Perugias, besoi te një top i ardhur nga mbrojtja dhe fitoi duelet me mbrojtësin dhe portierin kundërshtar. Parabola e Sulejmanit përfundoi në rrjetë, duke kaluar skuadrën në avantazh.

Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me zviceranët që tentuan të barazonin në disa momente.

Por u ndalën nga forma e mirë e portierit 16-vjeçar Amarildo Dervishi.

Në pjesën e dytë, pavarësisht se portieri i Skënderbeut e ndali goditjen e Ze, Romano (66′) me një goditje potente vendosi ekuilibrin. Skuadra e Bulkut provoi deri në fund të merrte maksimumin.

Në kohën shtesë iu ofrua një rast ideal, por nuk u shfrytëzua dhe ekipet ndanë pikët. Pas këtij barazimi, Zvicra shkon në vendin e dytë me 4 pikë, ndërsa Shqipëria pozicionohet e treta me vetëm një pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat