Messi shpreson

Futboll

Messi shpreson

Më: 9 prill 2023 Në ora: 12:37
Messi

Rikthimi i mundshëm i Lionel Messit në Barcelonë këtë verë ka ndezur shumë entuziazëm në mesin e tifozëve të klubit.

Rikthimi i tij në “Camp Nou” shihet si shumë i mundshëm për faktin se ylli argjentinas nuk ka pranuar ende që të rinovojë kontratën me Paris Saint-Germainin.

Megjithatë, sipas “Mundo Deportivo”, pengesa kryesore për rikthimin e Messit është aspekti financiar, duke ditur se klubi katalunas po përballet me probleme të mëdha financiare.

As Barcelona dhe as 35-vjeçari nuk duan të marrin një rrezik që më pas mund të çojë në mos regjistrimin e lojtarit.

Kjo kishte ndodhur në gusht të vitit 2021.

Dhe, as presidenti i Barçës, Joan Laporta dhe as Messi nuk duan ta përsërisin atë përvojë.

Në fund të shkurtit, Laporta u takua me Jorge Messin, babain e Leos, në Barcelonë.

Futbollisti tani shpreson që ai do ta kontaktojë personalisht për të diskutuar një rikthim të mundshëm.

Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” shpreson se Laporta do të ndërmarrë hapin për të folur drejtpërdrejt me të për të rregulluar sadopak raportet mes tyre.

Përshëndetja mes të dyve ishte shumë e ftohtë më 8 gusht 2021, kur u bë e ditur se Messi po largohet. Ata as nuk u përshëndetën më 27 shkurt në Salle Pleyel, ku ata ishin prezent në ceremoninë e më të mirëve të FIFA-s.

Në anën tjetër, stafi i trajnerëve të Barcelonës tashmë po planifikojnë punën e tyre duke pasur parasysh rikthimin e mundshëm të argjentinasit. Messi është në kontakte të shpeshta me Xavin dhe trajneri tashmë i ka thënë sulmuesit se cili do të ishte roli i tij nëse ai rikthehet.

Barcelona thuhet se do t’i ofrojë Messit një kontratë njëvjeçare nëse La Liga miraton lëvizjen.

Javë më parë u konfirmua nga zëvendës-presidenti i klubit, Rafa Yuste, se ka kontakte mes palëve, por jo edhe diçka konkrete rreth rikthimit të mundshëm të “pleshtit”.

Edhe Paris Saint-Germaini i ka ofruar fituesit të Kupës së Botës kontratë të re, por që ende nuk është pranuar.

Messi me parisienët ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat