Inzaghi dridhet

Futboll

Inzaghi dridhet

Më: 27 maj 2023 Në ora: 16:09
Inzaghi

Mbreti i Kupave ka goditur sërish. Interi i Simone Inzaghit ka fituar Kupën e Italisë për herën e 9-të në historinë e tyre të lavdishme, e dyta radhazi pas asaj që iu shtua koleksionit sezonin e kaluar.

Finalja në Stamboll është sfida e fundit e madhe që pret skuadrën milaneze, përpara se të fokusohet më thellë në çështjet e ndryshme që lidhen me të ardhmen.

Titanët e Manchester Cityt duken të pakalueshëm, megjithëse Pep Guardiola ka deklaruar publikisht se është i impresionuar me Interin.

Megjithatë, dallimi mes dy skuadrave është gjigant, për rrjedhojë kapiteni Lautaro Martinez dhe shokët e tij do të duhet të bëjnë një mrekulli. Çfarë do të ndodhë pastaj? Praktikisht nuk ka dyshime për qëndrimin e Inzaghit.

Trajneri nga Piacenza fitoi një tjetër vit sportiv me nota të plota në krye të skuadrës milaneze, me disa rezerva për shkak të rrugëtimit të tij në Serie A që nuk i përmbushi pritshmëritë. Në fakt, objektivi kryesor i klubit të Interit ishte titulli, i cili madje u zhduk brenda pak muajsh.

Është pika e dobët e Inzaghit, të cilën ai do të duhet ta korrigjojë në një farë mënyre. Dhe ish-trajneri i Lazio-s nga ana e tij padyshim shpreson që kjo të ndodhë duke mbajtur të gjithë emrat e mëdhenj në skuadër.

Por, siç e dimë, në futboll tani askush nuk është i paprekshëm. Nëse do të vinin oferta marramendëse, klubi me sa duket të paktën do të ndalonte dhe do të mendonte.

Këtu hyn në lojë Liverpooli i Jurgen Klopp. Në Argjentinë janë të sigurt: Reds do të ishin shumë pranë blerjes së Alexis Mac Allister, me mesfushorin argjentinas që duket se është gati të nënshkruajë një kontratë të re dhe të pasur.

Marrëveshja me Brighton duhet të mbyllet në rreth 70 milionë euro.

Kaq mjafton?

Absolutisht jo. Anglezët kanë pasur një sezon të komplikuar dhe duhet të rindërtojnë skuadrën, të përpiqen të kthehen më të fortë se më parë.

Këtu Liverpooli do të vlerësonte konkretisht edhe sulmin për Nicolo Barella.

Por për ta lëkundur Interin, do të duhej një propozim prej të paktën 100 milionë eurosh (gjithsej 170 duke marrë parasysh edhe Mac Allister).

Një shifër mjaft mbresëlënëse, por jo e pamundur për një nga superfuqitë ekonomike të Premier League. Kjo është arsyeja pse drejtuesit e zikaltërve do të bënin mirë të përgatiteshin për çdo eventualitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat