Të vërtetat e shkarkimeve

Futboll

Të vërtetat e shkarkimeve

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 13:37
Bayerni

Një rikthim pas për të ecur përpara. Bayern Munchen, që nga sezoni i ardhshëm do të revolucionarizohet në krahasim me edicionin që u mbyll.

Si organikë, por edhe më shumë në aspektin drejtues. Pasi u pushuan administratori i deleguar Oliver Kahn dhe drejtori sportiv Hasan Salihamdidzic, tani po kërkohen zëvendësuesit.

Shefi i ri ekzekutiv do të jetë Jan-Christian Dreesen, që deri javën e kaluar ishte drejtor i financave të klubit. Për ta ndihmuar në detyrën e tij përkrah do të ketë Karl-Heinz Rummenigge. I cili kishte dy vite që kishte lënë detyrën e administratorit të deleguar kundrejt Kahn.

Dhe që tani do të kthehet në klub si anëtar i Këshillit të Administrimit.

Do të rikthehet të ketë më shumë fuqi edhe ish-presidenti Uli Hoennes, (aktualisht president nderi), edhe ai anëtar i Këshillit të Administrimit. Hoeness duke folur për Kicker, tha haptazi se pushimi i Kahn ishte i paevitueshëm. “Duhet të pranojmë, do ta largonim edhe nëse Bayerni fitonte tripletën, ishte një vendim që duhej marrë“.

Mes Këshillit të Administrimit dhe Kahn, kishte tension të madh. Të enjten e 25 majit, presidenti Hainer foli me Hoennes për ta informuar për vendimin për largimin e Kahn. Ish-portieri nuk u prezantua në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Administrativ të premten. Dhe nuk iu përgjigj telefonatave të Hainer.

Për këtë arsye klubi e informoi Kahn nëpërmjet e-mailit për vendimin e pushimit nga detyra. Të enjten kishte patur një takim mes drejtuesve dhe Kahn. Dhe siç tregon Hoennes kishte qenë një takim aspak i pëlqyeshëm. Duket se Kahn kishte ngritur tonin ndaj zëvendësuesit të tij Jan-Christian Dreesen.

Ish-portieri i përgënjeshtron këto zëra. Por, Hoennes konfirmon se pikërisht për këtë arsye Kahn i ishte ndaluar të udhëtonte me skuadrën drejt Kolnit. Për ndeshjen vendimtare për titullin. Hoennes vec të tjerash shtoi se “mendoja se Oliver mund të mbulonte rolin e administratorit të deleguar duke shfrytëzuar personalitetin e tij të madh.

Mendoja se mund ta bënte vetë, por ai u rrethua nga agjentë dhe këshilltarë që kontribuuan në krijimin e një atmosfere katastrofike“.

Rummenige zyrtarizoi rikthimin në klub duke falënderuar për besimin: “Jam i lumtur që mund të ndihmoj dhe falënderoj këshillin administrativ që më besoi. Kam patur fatin dhe nderin të festoj tituj të mëdhenj me këtë klub, ndaj pranova me kënaqësi propozimin“.

Tani po kërkohet edhe një drejtor sportiv i ri. Favoriti është Max Eberl, që është takuar me drejtuesit bavarezë në ditët e shkuara. Eberl, aktualisht drejtor sportiv i Leipzigut, ishte favoriti për t’u bërë njeriu i merkatos se Bayernit dhe 6 vjet më parë, për të zëvendësuar Sammer.

Por e refuzoi ofertën për të vazhduar punën me Borussia Moenchengladbach, klub me të cilin qëndroi nën kontratë për 14 vjet. Me aftësitë e tij te Gladbach ku pasuroi klubin duke besuar te të rinjtë për t’i bërë të mëdhenj. Me emra si Marco Reus, Granit Xhaka apo Thorgan Hazard, Eberl ka konfirmuar vlerat e tij.

Duke qenë bavarez dhe pasi ka luajtur me Bayernin, përfaqëson për drejtuesit njeriun e duhur për të forcuar ndjenjën e identitetit që sipas shumë njerëzve po venitej në klub. Me shumë mundësi do të jetë ai njeriu që do të ndërtojë skuadrën që sezonin e ardhshëm do të synojë menjëherë triumfin e trefishtë, në Champions, Kupë e Kampionat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat