Postecoglu i irrituar pas humbjes

Futboll

Postecoglu i irrituar pas humbjes

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 12:13
Postecoglu

“Blutë” e Chelsea arritën një fitore të madhe, mbrëmjen e së hënës, që sapo lamë pas, teksa në “Tottenham Stadium” mundën me “poker” vendasit e Spurs, një përballje tejet të luftuar, ku përveç golave të shumtë të anulluar me sistemin “VAR”, pati dhe 2 kartona të kuq, në dëm të skuadrës së Tottenham, duke i lënë këta të fundit me 9 lojtarë në fushën e blertë.

Pas ndeshjes, tepër i irrituar sidomos për vendimet e arbtirit u duk të ishte tekniku i Tottenham, Ange Postecoglu, i cili pavarësisht të gjithave bëri “fair play”, duke u shprehur se i respektonte vendimet e gjyqtarëve, por pavarësisht kësaj për të është një absurditet që vendimi për një gol në pozicion jashtë loje të merret dy minuta pas anullimit të golit.

“Nëse shkojmë dhe ankohemi për vendime të këqija çdo javë, ajo që do të ndodhë është ajo që ndodhi sot.

E kam thënë edhe në të kaluarën që nuk më pëlqen. Nuk më pëlqen të jem këtu, nuk më pëlqen teatri që krijohet në pritje të vendimeve. Por e di që jam i izoluar. Në 26 vitet e mia si trajner kam qenë gjithmonë i gatshëm të pranoj vendimin e arbitrit në të mirë e në të keq. Dua vetëm të luhet loja. Por kur ankohemi për vendimet çdo javë kjo është ajo çfarë do të ndodhë.

Ju nuk mund të më thoni se arbitri ka kontrollin e ndeshjeve tani, ai nuk e ka. Unë e kuptoj teknologjinë e vijës së golit është e thjeshtë dhe askush nuk është ankuar për të, por kërkimi i kësaj utopie ku nuk duhet të ketë vendime të këqija në një ndeshje nuk është i mirë.

Drejtuesit e Premier League duhet thjesht të menaxhojnë klubet e tyre të futbollit. Unë kurrë nuk kam folur dhe nuk do të flas kurrë me gjyqtarët për rregullat e lojës. Më kanë mësuar që të rritem dhe të respektoj arbitrat.

Tani, menaxherët kërkojnë mënyra për të anashkaluar rregullat. Më thuaj cili është rregulli dhe të garantoj se do të kesh një dhomë plot me menaxherë që pyesin “si mund ta kaloj këtë”.

Ajo që dua është që gjyqtarët më të mirë të jenë gjithnjë e më të kualifikuar për të arbitruar ndeshjet, por është kaq e vështirë. Autoriteti i tyre po zvogëlohet vazhdimisht.

Jam rritur me frikë nga arbitrat sikur të ishin policë. Unë jam shkollë e vjetër, jam nga një epokë e shkuar.

Më pëlqen pastërtia e lojës, por ky është pjesërisht problemi im. Unë dua që ekipi im të luajë futboll të shpejtë, sulmues, me ritëm të lartë dhe dinamik. Po sikur të marrim një karton të kuq dhe një penallti kundër? Le ta marrim dhe të shkojmë përsëri. Por nuk mund të rrish në vend për dy minuta për të kuptuar nëse dikush ishte në pozicion jashtë loje apo jo. Lëreni drejtuesin e linjës të vendosë”,- u shpreh i irrituar tekniku Ange Postecoglu..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat