​Ndryshimet rrënjësore te Malisheva e planet për të ardhmen, flet drejtori sportiv Milaim Berisha

Futboll

​Ndryshimet rrënjësore te Malisheva e planet për të ardhmen, flet drejtori sportiv Milaim Berisha

Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 10:56
Milaim Berisha

Milaim Berisha është drejtori i ri sportiv në klubin e futbollit Malisheva, prurje edhe kjo e re në kuadër të ndryshimeve që ndodhën së fundi te kjo skuadër e cila ndryshoi edhe trajnerin duke larguar Senad Alirifën, për ta zëvendësuar me Qëndrim Kidën.

Berisha mori këtë përgjegjësi pas një përvoje të bërë në shtete si Kanadaja dhe Turqia dhe tashmë vlerëson se është i gatshëm për të ndihmuar klubin drejt synimeve të saj.

Berisha: Kam lënë Kanadanë për të kontribuar te Malisheva

“Ideja ka qenë për të kontribuar më shumë te klubi i Malishevës. Unë para se të vij këtu kam qenë jashtë shtetit, së fundmi kam qenë në Toronto të Kanadasë me punë si trajner kondicional dhe punë të tjera, para kësaj edhe në Stamboll të Turqisë, do të thotë kam përvojë 5 vjeçare si profesor universitar dhe pasi i kam bërë disa përvoja jashtë shtetit dhe shkollimet e nevojshme...nuk kishte sens më shumë për të qëndruar jashtë, është koha për të ardhur dhe kontribuar pak edhe në Kosovë dhe konkretisht në klubin e Malishevës.”, tha Berisha.

Në intervistën dhënë për KP, Berisha ka zbuluar arsyet pse klubi vendosi që të bëjë ndryshime në kryesi, duke përfshirë edhe trajnerin.

Berisha: Ndryshimet u bënë për shkak se kishte disa pakënaqësi brenda skuadrës

“Ndryshimet kanë ndodhur sepse ishte e nevojshme të ndodhin në klubin e Malishevës. Ka pasur disa sfida klubi i Malishevës këtë sezon të cilat janë reflektuar me ndryshimin e trajnerit, sfidat kanë qenë të llojllojshme, nuk kanë qenë të lidhura vetëm me trajneri por ishin të llojllojshme dhe keni parasysh që t’i qëndrohet Superligës një klub prej një qyteti kaq të vogël nuk është lehtë në aspektin financiar dhe në aspektin logjistik e të tjera. Kjo e ka vështirësuar pak punën dhe pas vështirësimit të punëve kemi pasur disa ngecje në rezultate dhe kështu kryesia bashkë me trajnerin Senal Alirifa kanë vendosur që ta bëjnë një ndryshim dhe të vije trajneri i ri që besoj që këto ndryshime janë duke reflektuar pozitivisht”, theksoi Berisha.

Ai bëri të ditur se do të punojë fuqishëm që me Malishevën t’i arrijë dy qëllime kryesore.

Berisha: Kam dy qëllime kryesore të Malisheva

“Synimet e mia janë së pari ta ndihmojë klubin në qëllimet e veta që i ka pasur edhe para ardhjes sime. Malisheva edhe pse me sfida edhe pse Superliga e Kosovës nuk është e lehtë, çdoherë është duke u zhvilluar edhe çdo skuadër ka synime të tilla. Malisheva ka synim të arrijë Evropën dhe të them të drejtën e ka merituar Malisheva të shkojë në Evropë. Kjo së shpejti do të ndidh, por a do të ndodh në këtë në këtë sezon, synimi ynë është këtë sezon, por nëse nuk ndodh shumë shpejt, kjo prapë do të ndodh. Qëllimi im i parë është që të kontribuojë në këtë aspekt...Qëllimi ynë kryesor është që t’i aktivizojmë shkollat e futbollit që këtu i posedojmë. Ne kemi një numër prej 200 futbollistë të rinj që vijojnë në shkollat e futbollit.”, deklaroi Berisha me tutje.

Qëndrueshmëria financiare për Malishevën, sipas Berishës, tani e tutje më nuk do të jetë një problem sepse kryesia dhe presidenti i klubit kanë plane të mëdha për të ardhmen.

Berisha: Kemi tejkaluar telashe financiare në klub

“Nëse e shohim në aspektet afatgjata, Malisheva, kryesia, presidenti i klubit kanë shumë plane të mëdha rreth klubit të Malishevës. Të gjitha problemet që kanë qenë ishin momentale, të kalueshme dhe tashmë veç se i kemi kaluar dhe jemi duke shkuar drejt stabilizimit edhe më të madh që duhet ta ketë Malisheva. Nuk është e lehtë për një klub të Superligës të mbijetojë kur vjen nga një qytet kaq i vogël siç është Malisheva për shkak edhe sponzorizimi është më i pakët edhe ndihmat nga jashtë janë më të mangëta. Do të thotë Malisheva ka arritur shumë mirë t’i mbijetojë nevojave të mëdha financiare pa marr parasysh që është një komunë shumë e vogël”, tha Berisha.

Madje, për shkak të stabilitetit financiar, Berisha bëri të ditur se tashmë janë duke biseduar me trajnerin Qëndrim Kida për blerjet e reja që mund të jenë të nevojshme për klubin në afatin kalimtar të janarit.

Berisha: Kemi nisur bisedimet, do të kemi blerje të reja

“Ka, veç se jemi në bisedime. Trajneri ynë do të vendosë çfarë neve na nevojitet më shumë dhe çfarë prurje duhet të kemi. Do të thotë në aspektin financiar nuk do të kemi problem, krejt varet se çfarë i duhet trajnerit tonë në skuadër pas janarit edhe besojmë që do të kemi prurje të reja edhe të mira për t’i zgjidhur problemet afatshkurtra. Mos të harrojmë që synimi i këtij klubi është që në të ardhmen të prodhojë shumë më shumë lojtarë prej shkollave të futbollit”, tha në fund Berisha.

Berisha gjithashtu ka thënë se investimi në infrastrukturën e stadiumit “Liman Gegaj” ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e kushteve në të cilat lojtarët do të përgatiten për ndeshjet e radhës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat