Klopp: I lumtur për finalen e EFL Cup

Futboll

Klopp: I lumtur për finalen e EFL Cup

Më: 25 janar 2024 Në ora: 12:33
Chelsea

Liverpool-Chelsea, është kjo finalja e këtij edicioni në EFL Cup, me sfidën që do të luhet më 25 Shkurt në “Wembley”.

Liverpool siguroi finalen pas barazimit 1-1 në ndeshjen e kthimit përballë Fulham, teksa kualifikimi u vendos nga suksesi në “Anfield”, ku skuadra e Klopp fitoi 2-1.

Pas sfidës në Londër, Jurgen Klopp u shpreh shumë i lumtur për kualifikimin në finale dhe mbi të gjitha përgëzoi skuadrën e tij, teksa theksoi se ndaj Chelsea-t do të jetë një ndeshje e madhe.

“Ishim gati për këtë ndeshje dhe e treguam në fushën e lojës, kjo është shumë e rëndësishme.

Skuadra tregoi forcën e karakterit dhe dëshirën për të prekur finalen. Ndihem shumë mirë pas kësaj sfide, të gjithë jemi të lumtur, mezi po e presim ndeshjen finale në Wembley.

Natyrisht kemi edhe ndeshje të rëndësishme përpara, do të marrim kohën tonë, për të pasur qetësinë e duhur dhe për të menduar hap pas hapi për çdo ndeshje. Në finale përballë Chelsea-t? Do të jetë një ndeshje e madhe.

Është një takim midis dy skuadrave që e kërkuan këtë finale dhe do të jetë një ndeshje e bukur.” – përfundoi Klopp.

Liverpool do të luajë finalen e 14-të në historinë e EFL Cup, teksa është skuadra më e suksesshme me 9 trofe dhe për herë të fundit ia doli në sezonin 2021-2022 pikërisht ndaj Chelsea-t, me “Blutë” që do të luajnë finalen e 10-të në histori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat