Futbolli rrit të ardhurat!

Futboll

Futbolli rrit të ardhurat!

Më: 25 janar 2024 Në ora: 21:58
Pamje nga një ndeshje

Studimi i Deloitte ka përpiluar klasifikimin e Football Money League, renditjen e klubeve me të ardhurat më të larta në nivel global për sezonin 2022-2023.

Reali i Madridit komandon klasifikimin për herë të parë nga 2018 me të ardhura rekord prej 831 milionë eurosh, dhe një rritje prej 118 milionësh në krahasim me vitin paraardhës.

Manchester City ndjek në vendin e dytë me 825 milionë të arkëtuara, ndërsa PSG kompleton podin në vendin e tretë me 801 milionë duke lënë pas vetëm për pak Barcelonën që ka arkëtuar 800 milionë euro me katalanasit që kanë ngjitur plot 3 pozicione, ndërsa pariezienët 2.

Mes 10 skuadrave më të pasura në botë mbeten më pas Manchester United me 745 milionë arkëtime, Bayern i Mynich-ut me 744, Liverpool me 682, Tottenham me 631 milionë, Chelsea me 589 milionë dhe Arsenali me 532.

Borussia e Dortmundit është në vendin e 12 me 420 milionë, Atletico e Madridit e 15 me 364 dhe mes debutuesve në klasifikim në pozicionin më të mirë është Eintracht Frankfurt me 293 milionë në vendin e 16

Kompletojnë kuadron Newcastle dhe West Ham respektivisht në vendin e 17 dhe të 18. Kanë dalë nga 20-shja Leicester, Leeds United dhe Everton, konfirmimi se paraqitjet sportive janë vendimtare dhe në aspektin financiar. Klubet e Premier League kanë mbetur 8 ndërkohë që në dy vitet e fundit kanë qenë gjithmonë në numër dyshifror.

FUTBOLLI ITALIAN

Të mëdhenjtë e futbollit italian rriten por janë ende shumë larg nga elita e Europës të paktën në planin ekonomik. Juventusi, e para ndër skuadrat e Serie A renditet vetëm në vendin e 11.

Bardhezinjtë konfirmojnë pozicionin e vitit të kaluar, por duke regjistruar një rritje të të ardhurave me 8% duke i çuar në 432 milionë euro. Milani është në ngjitje të fortë, pasi ka kaluar nga pozicioni i 16-të në të 13 me një rritje prej 50% që përkthehet në 385 milionë, Inter mbetet e pandryshuar në vendin e 14 me 379 milionë të arkëtuara plus 23%, ndërsa Napoli hyn për herë të parë në klasifikim, duke u renditur në vendin e 19 me 279 milionë të arkëtuara një rritje prej 71%.

MOTIVET E RRITJES

Në kompleks të 20 klubet kanë totalizuar arkëtime prej 10.5 miliardë eurosh, me një rritje prej 14% në krahasim me sezonin 2021-2022. faktorët kryesorë të rritjes janë të ardhurat që vijnë nga ndeshjet, 1.9 miliardë dhe ata komerciale, 4.4 miliardë që kanë tejkaluar të ardhurat nga të drejtat televizive.

17 skuadra nga 20 kanë rritur të ardhurat komerciale, një ndryshim që i atribuohet përmirësimit të shitjeve në detaje, eventeve që nuk kanë të bëjnë me fushën, dhe rikuperimit të të ardhurave nga sponsorizimet që ishin goditur nga kufizimet e pandemisë.

Të ardhurat nga të drejtat televizive kanë regjistruar një rritje të vogël, me vetëm 5%, çka i detyrohet faktit që sezoni i kaluar hyn pjesë në akordet që ishin nënshkruar që më parë me transmetuesit televizivë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat