Dybala “frikëson” Romën

Futboll

Dybala “frikëson” Romën

Më: 30 maj 2024 Në ora: 16:03
Paulo Dybala

“Kam gati 12 vite në Itali dhe po kaloj shumë mirë. Do të ishte e vështirë të largohesha, sepse këtu u rrita dhe u bëra burrë”. Këtë e thotë Paulo Dybala.

Nga Palermo në Romë, duke kaluar nëpërmjet aventurës te Juventusi.

Sulmuesi argjentinas foli për veten e tij në “The Athletic”, gjithashtu ceku të ardhmen dhe çfarë mund të ndodhë: “Gjithmonë si futbollist e keni kuriozitet dhe pyet veten se çfarë do të bënit në kampionate si La Liga dhe Premier League, ku ka ekipe të mëdha dhe të shkëlqyera”.

Përveçse foli për të ardhmen, Dybala u fokusua edhe në sezonin që sapo ka përfunduar: “Askujt nuk i pëlqen ta përfundojë kampionatin në vendin e gjashtë. Ne kishim ekip për të përfunduar më lart. Nuk jam shumë i kënaqur me atë që bëmë.

Mund të kishim bërë më shumë”. Për objektivat e ardhshëm: “Nuk kam fituar asnjë Champions League apo Europa League, por ky do të jetë gjithmonë objektivi im. Dua të fitoj sa më shumë që të jetë e mundur me Romën”.

“Joya” foli edhe për propozimin për martesë: “Nuk ishte e lehtë të zgjidhja vendin për t’i propozuar partneres sime, sepse në Romë ka mijëra vende. As doja të dilte në media, apo dikush të thoshte se po planifikoja diçka të madhe. Kështu, njoftova disa miq, dolëm për darkë dhe vendosëm të shkonim të merrnim akullore pranë shatërvanit…”

Numri 10 verdhekuq gjithashtu shpjegoi ritualin e tij supersticioz para ndeshjeve: “Para se të fillojë ndeshja, unë i jap topit një puthje, dua që të qëndrojë me mua. Nuk flas me të, por i jap një puthje. Pra, topin dua ta mbaj sa më afër që të jetë e mundur”.

Dallimi mes Italisë dhe Argjentinës, si dhe lidhja e De Rossit me Boca: “Unë kam qenë në Itali prej 12 vitesh dhe rrallë kam parë fëmijë që luajnë futboll në rrugë. Nëse shkoni të shihni fëmijët duke u stërvitur, ndryshimi me Argjentinën është se fëmijëve tanë iu jepet më shumë liri.

Në Amerikën e Jugut, për momentin kemi më shumë talente se kudo tjetër në planet. De Rossi e do Argjentinën, shpresoj që të ketë një karrierë të suksesshme si trajner, të qëndrojë në Evropë për një kohë të gjatë dhe të fitojë trofe, të ndërtojë skuadra të mëdha dhe të vazhdojë të bëjë atë që po bën, sepse e meriton”..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat