Historia e çuditshme e Danimarkës më 1992

Futboll

Historia e çuditshme e Danimarkës më 1992

Më: 13 qershor 2024 Në ora: 18:34
Danimarka e vitit 1992

Ishte viti 1992, i cili na solli një nga historitë më të çuditshme, por edhe të bukura të futbollit.

Danimarka shpallej kampione e Europës, edhe pse në rend të parë s’e kishte siguruar as kualifikimin në këtë turne

Kombëtarja daneze zinte vendin e Jugosllavisë, e cila ishte përjashtuar nga UEFA përshkak të luftës që po ndodhte brenda shtetit.

Danimarka udhëtonte për në Suedi (vendin nikoqir) pasi përfundoi e dyta në grupin kualifikues pas ish Jugosllavisë.

Kombëtarja ishte e papërgatitur, si për lojë, ashtu edhe mentalisht, sepse nuk e kishin mendjen fare te kampionati.

Disa lojtarë ishin në pushime e u desh t’i lënë në gjysmë, disa të tjerë sapo e kishin përfunduar kampionatin në Danimarkë, dhe lodhja ishte një ‘rrezik’ për këtë kombëtare.

Në krye të danezëve atë kohë ishte Richard Moller Nielsen, i cili nuk gëzonte respektin e bashkëkombasve të tij, pasi kishte krisur raportet me lojtarin më të mirë të Danimarkës, Michael Laudrup.

Nielsen ishte fillimisht ndihmës i Sepp Piontek, i cili cilësohej si trajneri me lojën më të mirë nga danezët.

I fokusuar më shumë në disiplinë, strukturë të lojës bazike dhe defanzive, Nielsen nuk ishte përkrahës i madh i idesë që kombëtarja të luajë bukur.

E këto veprime bën që Michael Laudrup të largohet nga kombëtarja, derisa rrugën e tij e mori edhe vëllau i tij, Brian Laudrup.

Edhe portieri Peter Schmeichel kishte mendimin e njëjtë, mirëpo ai u detyrua të kërkoj falje në mënyrë që të kthehet në ekip.

Në nisje të kampionatit, Brian Laudrup u bë pishman dhe u kthye tek kombëtarja.

Danimarka e nisi kampionatin me një barazim pa gola me Anglinë, derisa në ndeshjen e dytë u mposhtë nga nikoqiri, Suedia me shifrat 1-0.

Më pas, Danimarka e mposhti Francën 2-1 në ndeshjen e tretë të grupit.

Në gjysmëfinale, Holanda e Danimarka barazuan 2-2 pas kohës së rregullt, gjersa vetëm penalltitë konfirmuan fituesin, që ishte Danimarka.

“Pa prit e pa kujtu” – siç thotë populli – Danimarka e gjente vetën në finalen e madhe të Gothenborgut.

Nga dështimi për t’u kualifikuar, në finalen e “EURO ‘92”.

Aty, kombëtarja daneze përballej me Gjermaninë, të cilën e mposhti me shifrat 2-0.

Danimarka nisej për në Suedi me përshtypjen se do t’i luajnë vetëm tri ndeshje, dhe do të ktheheshin në shtëpi. Mirëpo, kjo rehati, në kombinim me rregullat strikte të selektorit Nielsen, bën që Danimarka të kurorëzohej kampione e Europës, për herë të parë dhe të vetme në histori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat