Mes Bayern dhe Bayer ka nisur sfida edhe pse nga starti zyrtar i Bundesligës na ndajnë ende edhe pak ditë.
“Molla e sherrit” është bërë Xhonatan Tah, i cili prej javësh përflitet se është në listën e dëshirave të klubit bavarez. Edhe pse mes klubeve nuk ka akord, por nga deklarata e bëra nga shefi i ekzekutivit të Leverkusenit duket se kanë qenë shumë pranë, skuadra aktuale e mbrojtësit nuk ka pritur mirë vendimin e ekipit rekordmen të Gjermanisë për të braktisur si pistë firmën me Tah.
“Nuk ka asnjë konsideratë për Maks Eberl, nuk dua të flas asgjë”, tha Fernando Carro pas një bashkëbisedimi me tifozët e Leverkusen. Numri një i Bayer akuzonte Drejtorin Teknik të Bajernit, Eberl, pasi ky i fundit nuk kishte ngulmuar për të blerë Tah edhe pse Leverkusen ishte tërhequr nga pretendimet fillestare sa i përket klauzolës së kartonit të 29-vjeçarit.
Ka mjaftuar kjo fjali, e cila nuk dëgjohet shpesh në nivele të larta në Gjermani, që Bayern të rreagojë fuqishëm dhe të mbrojë punën e bërë me profesionalizëm nga Eberl, i cili përveç se është Drejtor Teknik, njëkohësisht është pjesë edhe e bordit të klubit më të titulluar në Bundesligë.
Pas bisedimeve në kanale private ka ardhur edhe hapi pas i Carro, i cili po dje tha: “Dua të kërkoj ndjesë për ato fjalë që thash për Eberl. Nuk ishin me vend, por nuk dua të justifikohem edhe pse jam një person shumë gjaknxehtë dhe këtu u nxitova”.
Sot shefi i ekzekutivit të Bayern, Jan-Christian Dreesen tha: “Jemi më shumë se të irrituar nga fjalët e Fernando Carro, i cili sulmoi personalisht Maks Eberl. I kam thënë Carros edhe në një bisedë personale se nuk do të tolerojmë që askush të sulmojë në këtë formë Bayern-in. Ai e pranoi se kishte gabuar dhe prandaj kërkoi falje publikisht. Përtej rivalitetit në fushë ne duhet që të kemi respekt reciprok për njëri-tjetrin”.