Produkti i finaleve të Kampionati Europian 2024 sigurisht që nuk ishte ndonjë sukses, por kualifikimi në këtë kompeticion mund të konsiderohet ende një rezultat i madh dhe historik. Tashmë Shqipëria nis rrugëtimin e saj në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, me ëndrrën për të fituar akoma më shumë besim dhe për t’u bërë një ekip i fortë për të gjithë, në mbarë kontinentin.
Shqipëria do të përballet sonte me Ukrainën në ndeshjen e parë të Ligës B, e karikuar jo vetëm për t’u ngjitur në Ligën A në fund të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, por edhe për ta përfunduar turneun në një pozicion elitar, për të patur një shans më shumë në kuadër të Botërorit 2026.
Në fakt, kombëtaret më të mira të Ligës së Kombeve, të pakualifikuara drejtpërdrejt në Kupën e Botës 2026, do të mund të luajnë në “play-off” për Botërorin e radhës, kompeticion në të cilin Shqipëria nuk ka marrë pjesë kurrë.
Ndeshja ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë, e para në Ligën e Kombeve 2024-2025 për të dyja kombëtaret, do të luhet në Pragë të Republikës Çeke, prej orës 20:45. Vitet e fundit, Ukraina nuk i ka luajtur ndeshjet e saj në shtëpi për shkak të luftës me Rusinë.
Formacioni startues kuqezi
Kuqezinjtë do të jenë në veprim sonte, për herë të parë pas përfaqësimit në “Euro 2024”. Ndoshta jo me të njëjtin ritëm, për shumë arsye, dëmtimesh, pezullimesh dhe fillimi të sezonit të ri, por me dëshirën maksimale për ta nisur me këmbën e mbarë Ligën e Kombeve.
Do të sfidojmë Ukrainën mbrëmjen e së shtunës, në Pragë, duke pasur mungesa jo pak të rëndësishme, përfshirë edhe kapitenin: Gjimshiti, Ajeti, Broja dhe Daku. Me zgjedhje më të limituara, trajneri Sylvinho e ka ndarë mendjen për formacionin titullar.
Në të ka vend për Strakoshën në portë, me katër mbrojtës para tij: Elseid Hysaj nga e djathta (ka njëlloj balotazhi me Balliun, gjithsesi), Kumbulla dhe Ismajli në qendër, Mario Mitaj në krahun e majtë. Pra, Kumbulla dhe Ismajli janë dy “prurje të reja” në formacionin kuqezi, nëse i referohemi asaj që pamë në finalet e “Euro 2024”.
Në mesfushë rikonfirmohet treshja e Europianit, e përbërë nga Ramadani, Asllani dhe Qazim Laçi. Edhe krahët e sulmit kuqezi do të jenë të njëjtët, me Manajn si “pykë”: Nedim Bajrami në të majtë, Jasir Asani në të djathtë. Në stol, gati për t’i dhënë një dorë ekipit, për t’u aktivizuar gjatë lojës, figurojnë emra të tillë si Myrto Uzuni, Arbër Hoxha, Taulant Seferi apo Medon Berisha.