Kosova U21 triumfon në Budapest

Futboll

Kosova U21 triumfon në Budapest

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 21:49
Kosova U21

Kombëtarja e Kosovës U21 ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire ndaj Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2025. Në ndeshjen e zhvilluar në Budapest, djelmoshat e drejtuar nga Afrim Tovërlani fituan me rezultat 1:0. 

Vendimtar për këtë takim ishte goli i shënuar nga Milot Abdylit në minutën e 11-të. Ai realizoi nga një gjuajtje e fuqishme nga distanca, që befasoi portierin izraelit Niv Eliasi.

Kosova pati edhe rast tjera për shënim, ku vlen të veçohen dy prej tyre. Në minutën e 22-të, Etnik Brutti lëshoi një gjuajtje të fuqishme nga jashtë zonës, por Eliasi këtë herë arriti ta ndalojë topin, duke shmangur golin e dytë për Kosovën.

Ndërkaq, në minutën e 83-të, Redon Ismaili pranoi një top të mirë në qendër të zonës dhe pati një mundësi të shkëlqyer për të shënuar, por goditja e tij përfundoi në duart e portierit izraelit. Me këtë fitore, Kosova U21 renditet në pozitën e 4-të në Grupin D të kualifikimeve për Evropianin U21, me 12 pikë të grumbulluara, aq sa ka edhe Bullgaria në vendin e tretë. Kjo fitore rrit shpresat e ekipit për një renditje më të mirë në përfundim të këtyre kualifikimeve.

Më 11 tetor, Kosova U21 e pret Poloninë, ndërsa më 15 tetor e mbyll fushatën kualifikuese me ndeshjen në udhëtim ndaj Estonisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat