Shkëndija e Tetovës mbyllin vitin me derbin ndaj Gostivarit. Shkëndija pret rivalin për kreun në ndeshjen e fundit të vitit, duke synuar fitoren për ta mbyllur 2024-ën si kampionë dimërorë.
"Në kulmin e një forme mbresëlënëse me katër fitore radhazi dhe pozita e liderit të tabelës, Shkëndija do të presë Gostivarin në derbin e fundit për vitin 2024. Përballja, një nga më të rëndësishmet e këtij gjysmësezoni, për fat të keq do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, në përputhje me rekomandimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për arsye sigurie.
Kuqezinjtë synojnë fitoren e pestë radhazi, për të mbyllur vitin si lider dhe kampionë dimërorë, duke forcuar pozitat në garën për titull.
Kundërshtari
Gostivari po kalon sezonin më të mirë në historinë e tij dhe për herë të parë ndodhet mes pretendentëve për titullin kampion. Me një skuadër të ndërtuar nga lojtarë cilësorë vendas dhe të huaj, ata kanë treguar që janë një rival serioz. Aktualisht ndajnë vendin e dytë në tabelë me Rabotniçkin dhe Sileksin (34 pikë), vetëm dy pikë pas Shkëndijës.
Skuadra
Mbrojtësi Mevlan Adili rikthehet në ekip pas pezullimit për kartonë të verdhë, duke sjellë forcë shtesë në mbrojtje. Ndërkohë, sulmuesi Fiton Ademi vazhdon të jetë jashtë për shkak të një dëmtimi.
Transmetimi
Ndeshja Shkëndija – Gostivari do të zhvillohet në Stadiumin e Qytetit në Tetovë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Shkëndija Channel në YouTube, me fillim në ora 13:00", njofton KF Shkëndija.