Tensione në Paris

Futboll

Tensione në Paris

Më: 9 prill 2025 Në ora: 12:29
Pamje

Në prag të ndeshjes së shumëpritur të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germainit dhe Aston Villës janë shënuar incidentet e para mes tifozëve në rrugët e kryeqytetit francez.

Mbrëmë, përpara një bari parisien janë parë tensione të ashpra me gjuajtje të gjësendeve të forta dhe grushte e shqelma.

Përkundër faktit se dy ekipet nuk kanë ndonjë rivalitet historik, arritja e tifozëve anglezë, rreth një mijë prej tyre pa bileta, sipas mediumit britanik “Daily Mail”, e rriti dukshëm nivelin e alarmit.

Siguria franceze e ka klasifikuar këtë përballje të gradës së rrezikshmërisë me 3 nga 5, duke sinjalizuar incidente konkrete mes tifozëve.

Nuk është ende e qartë nëse përballja ishte e planifikuar apo nëse ka lindur nga një episod i izoluar, por situata e kërkoi intervenimin e forcave të rendit dhe e rriti brengën e sigurisë para ndeshjes së sontme në “Parkun e Princave”.

Autoritetet tashmë e kanë parë të nevojshme rritjen e sigurisë në mënyrë që të evitohet sonte çfarëdo incidenti, brenda dhe jashtë stadiumit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat