Benfica përpara Barcelonës

Futboll

Benfica përpara Barcelonës

Më: 22 tetor 2025 Në ora: 19:32
Pamje nga ndeshja

Observatori i Futbollit CIES ka publikuar si çdo vit raportin e tij mbi akademitë më produktive në botë, duke analizuar klubet që kanë formuar futbollistë aktualisht aktivë në 49 kampionate profesioniste në mbarë globin.

Renditja, e përfshirë në Weekly Post-in nr. 518, është bazuar në një indeks formimi që merr parasysh tre faktorë kryesorë: numrin e lojtarëve të formuar, nivelin e klubeve ku ata kanë luajtur gjatë vitit të fundit dhe minutat e zhvilluara në ndeshje zyrtare.

Ashtu si në vitin e kaluar, Benfica kryeson listën, duke konfirmuar reputacionin e saj si një nga akademitë më të suksesshme në futbollin botëror.

Klubi portugez ka 93 lojtarë të formuar që luajnë aktualisht në kampionatet e analizuara, me një nivel mesatar klubesh 0.81 dhe 2.582 minuta të luajtura për lojtar në ndeshje zyrtare gjatë vitit të fundit.

Në vendin e dytë renditet Barcelona, me 76 futbollistë të formuar, një nivel mesatar klubesh prej 0.87 dhe 2.773 minuta të zhvilluara, ndërsa River Plate i Argjentinës plotëson podiumin me 97 lojtarë aktivë, një nivel mesatar prej 0.81 dhe 2.305 minuta.

Dhjetëshja më e mirë sipas CIES përfshin gjithashtu emra të mëdhenj të futbollit botëror:

Benfica (Portugali) – 93 lojtarë, 2.582 min, indeks 0.807

Barcelona (Spanjë) – 76 lojtarë, 2.773 min, indeks 0.805

River Plate (Argjentinë) – 97 lojtarë, 2.305 min, indeks 0.805

Ajax (Holandë) – 80 lojtarë, 2.690 min, indeks 0.841

Boca Juniors (Argjentinë) – 86 lojtarë, 2.516 min, indeks 0.808

Sporting CP (Portugali) – 76 lojtarë, 2.488 min, indeks 0.811

Dinamo Zagreb (Kroaci) – 77 lojtarë, 2.532 min, indeks 0.732

Defensor SC (Uruguai) – 88 lojtarë, 2.222 min, indeks 0.726

Real Madrid (Spanjë) – 58 lojtarë, 2.817 min, indeks 0.853

Vélez Sarsfield (Argjentinë) – 70 lojtarë, 2.406 min, indeks 0.805

Renditja tregon edhe një herë dominimin e klubeve evropiane dhe amerikano-jugore në zhvillimin e talenteve të rinj. Portugalia spikat me dy akademi në “Top 10” (Benfica dhe Sporting CP), ndërsa Spanja dhe Argjentina kanë nga dy përfaqësuese secila.

Raporti i CIES nënvizon rolin gjithnjë e më të madh të investimeve në strukturat e të rinjve dhe të filozofisë së formimit afatgjatë, faktorë që vazhdojnë të prodhojnë gjenerata të reja futbollistësh që shkëlqejnë në skenën ndërkombëtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat