Habit ndihmësi i Fodës: Deshëm ta ftonim Donis Avdijajn te Kosova, por...

Futboll

Habit ndihmësi i Fodës: Deshëm ta ftonim Donis Avdijajn te Kosova, por...

Më: 15 nëntor 2025 Në ora: 19:00
Robert Ibertsberger

Robert Ibertsberger është ndihmës i selektorit të kombëtares të Kosovës, Franco Fodës.

Ai dikur ishte një lojtar mjaft i njohur, i cili kishte tetë paraqitje me kombëtaren e Austrisë, 200 ndeshje zyrtare dhe kishte fituar dy tituj në Bundesligën austriake.

Megjithatë, një dëmtim i rëndë në gju i dha fund karrierës së tij në moshën e re 27-vjeçare.

Sot, ish-mbrojtësi i djathtë e transmeton me sukses përvojën e tij te kombëtarja e Kosovës si asistent i trajnerit Franco Foda.

“Shteti ballkanik së fundmi u ngjit në Ligën e Kombeve, Grupi B, pavarësisht se ‘Verdhekaltrit’ u bënë anëtarë të UEFA-s dhe FIFA-s vetëm në maj të vitit 2016 dhe kanë marrë pjesë në gara zyrtare e kualifikime vetëm për nëntë vjet.

Me këtë vrull, Ibertsberger dhe Foda po ndjekin një objektiv të madh: pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Kupën e Botës 2026 në Kanada, Meksikë dhe SHBA”, shkruan “Sportbusinessmagazin”, e cila ka publikuar ligjëratën e ndihmësit të Fodës.

Në kuadër të një ligjërate në kursin universitar të gazetarisë sportive, Ibertsberger foli – ndër të tjerash – për rastin e Donis Avdijajt.

Ai thotë se Foda e kishte në plane ta ftonte Avdijajn, mirëpo dyert për të i ka mbyllur Federata e Futbollit e Kosovës.

“Ai është i mirë dhe në parim do të ishte një opsion, por fatkeqësisht ka lënë shumë rrëmujë pas vetes.

Ai ka luajtur gjashtë ndeshje për kombëtaren – por në një periudhë kur nuk mendonte qartë dhe i mungonte disiplina.

Ai vetë ia ka mbyllur derën vetes. Ne do të donim ta grumbullonim, por federata e ka ndaluar”, ka thënë Ibertsberger.

Donis Avdijaj aktualisht është pjesë e Ëolfsberger në Bundesligën austriake.  

29-vjeçari këtë sezon ka tre gola në 12 ndeshje të zhvilluara.

Me Kosovën, anësori ka zhvilluar gjashtë ndeshje, duke shënuar edhe dy gola.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat