Historia e pazakontë

Futboll

Historia e pazakontë

Më: 23 nëntor 2025 Në ora: 15:53
MilanInter United

Për më shumë se një shekull, Milan dhe Inter kanë qenë dy pole të kundërta të qytetit, ndarë nga pasioni, identiteti dhe krenaria.

Por në pesë raste të rralla – dhe po aq të jashtëzakonshme – dy rivalet e përjetshme lanë mënjanë antagonizmin, duke krijuar një skuadër të vetme: MilanInter United, një simbol unik bashkimi në një qytet që zakonisht jeton futbollin si një përplasje të përjetshme.

Miqësoret e para dhe trofeu italo-britanik i vitit 1965

Nismat e para të formacioneve të përziera i përkasin viteve 1929–1949, por momenti kulmor erdhi në vitin 1965, kur në San Siro u zhvillua ndeshja për Trofeun e Miqësisë Italo-Britanike, nën praninë e princit Filip të Edinburgut.

Në pankina qëndronin ikonat Helenio Herrera dhe Nils Liedholm, ndërsa në fushë luanin yje si Schnellinger, Guarneri, Trapattoni, Corso, Suarez e Picchi. MilanInter United mposhti Chelsean 2-1, falë golave të Angelillos – që sapo kishte kaluar nga Inter te Milan – dhe Peirò. Ishte një shembull i rrallë se si bashkëpunimi mund të triumfonte mbi rivalitetin.

Fanella e paharruar e vitit 1949

Më 27 nëntor 1949, një skuadër e bashkuar Milan–Inter u përball me Austria Vienna për 50-vjetorin e themelimit të Milanit. Përvjetori solli një fanellë historike: bazë e bardhë, e kryqëzuar nga një shirit kuq-e-zikalter që të kujtonte stilin sampdorian, por të interpretuar me ngjyrat e qytetit të Milanos.

Në të u shfaqën emra të mëdhenj si Nordahl dhe Nyers, në një ditë që simbolizoi elegancën dhe unitetin si rrallëherë në historinë e dy klubeve.

1969: Vëllazërimi Milano–Lyon dhe fitorja 7:1

Pika e dytë e artë e MilanInter United erdhi në 1969, gjatë festimeve të vëllazërimit me qytetin e Lyonit. San Siro pa një ndeshje spektakolare, të fituar 7-1 nga formacioni milanez.

Protagonist absolut ishte Gianni Rivera, i kthyer nga triumfi europian me Milan. Pankina u ndërrua mes dy legjendave, Nereo Rocco dhe Peppino Meazza, teksa Interi kontribuoi me më pak lojtarë për shkak të angazhimeve të tjera.

Vitet ’80: Bamirësi, yje të mëdhenj dhe tension në shkallë

Në fillim të viteve ’80 u zhvilluan ndeshjet e fundit madhore të MilanInter United. Më e famshmja ishte ajo kundër Bayern Munich të Rummenigge dhe Breitner, organizuar për të ndihmuar të prekurit e tërmetit të Irpinias.

Në fushë zbritën emra të mëdhenj si Baresi, Altobelli, Oriali, Collovati, Beccalossi, Prohaska, ndërsa golin e vetëm milanez e shënoi Antonelli. Bayern fitoi 2-1, por ndeshja u mbajt mend sidomos për tensionet mes tifozëve, një shenjë se eksperimenti i qytetit po humbiste magjinë.

1982: Dy sfidat e fundit dhe fundi i epokës

Viti 1982 shënoi mbylljen definitive të aventurës MilanInter United. Skuadra e përbashkët luajti dy ndeshjet e fundit miqësore – me përbërje të varfëruar nga mungesa e lojtarëve të kombëtareve – duke humbur 2-0 ndaj Perusë dhe 2-1 ndaj Polonisë.

Në ato sfida u aktivizuan lojtarë si Serena, Beccalossi, Tassotti dhe Novellino. Por klima e qytetit kishte ndryshuar: Milani luftonte me pasojat e rënies në Serie B, ndërsa tensionet mes tifozerive ishin më të forta se kurrë. Ishte e qartë se epoka e MilanInter United po përfundonte.

Një rrëfenjë unike në futbollin europian

MilanInter United mbetet një kuriozitet historik: pesë paraqitje që dëshmojnë se edhe rivalitetet më të forta mund të lënë vend bashkëpunimit. Edhe pse i përket së kaluarës, ky fenomen mbetet një nga episodet më të çmuara në historinë sportive të qytetit të Milanos

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat