Të gjithë sytë nga Zyrihu

Futboll

Të gjithë sytë nga Zyrihu

Më: 6 maj 2026 Në ora: 14:29
Kupa

FIFA ka ftuar Federatën Iraniane të Futbollit në selinë e saj në Zyrih deri më 20 maj, në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës 2026 që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Pjesëmarrja e Iranit në turneun që do të mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik ka ngritur pikëpyetje të shumta, për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme pas sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane në territorin iranian që në fund të muajit shkurt.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka theksuar se nuk ka dyshime për pjesëmarrjen e Iranit në turne. Megjithatë, gjatë Kongresit të FIFA-s janë ngritur shqetësime për sfidat logjistike që mund të shoqërojnë praninë e delegacionit iranian në Amerikën e Veriut.

Një ditë para aktivitetit, delegacioni iranian anuloi pjesëmarrjen, duke pretenduar trajtim të papërshtatshëm nga zyrtarët e emigracionit në aeroportin e Torontos.

Situata komplikohet më tej nga fakti se Kanadaja e ka shpallur shtetin e Iranit si organizatë terroriste. Ndërkohë, presidenti i federatës iraniane, Mehdi Taj, ka qenë më parë pjesë e kësaj strukture.

Pas rikthimit në Iran, Taj deklaroi për mediat vendase se kërkon një takim urgjent me FIFA-n, duke theksuar se ka disa çështje për të diskutuar. FIFA është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga pala iraniane, ndërsa synon zhvillimin e takimit brenda afatit të caktuar.

Diskutimet do të jenë vendimtare për të qartësuar çdo paqartësi që lidhet me pjesëmarrjen e Iranit. Për muaj të tërë, kjo pjesëmarrje ka qenë në pikëpyetje për shkak të tensioneve dhe konfliktit të vazhdueshëm në rajon, që kanë ndikuar jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë politik dhe diplomatik.

Në fillim të konfliktit, Irani kishte paralajmëruar edhe mundësinë e bojkotit të turneut, ndërsa më pas kërkoi që ndeshjet e tij të zhvendoseshin në Meksikë, një kërkesë që u refuzua nga organizatorët.

Me vetëm pak javë nga starti i Kupës së Botës, situata mbetet e ndërlikuar dhe kërkon zgjidhje të shpejta për të garantuar zhvillimin normal të turneut më të madh të futbollit në botë. 

Kombëtarja iraniane pritet të jetë pjesë e fazës së grupeve, ku do të përballet me kundërshtarë të fortë si Zelanda e Re, Belgjika dhe Egjipti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat