Juventusi është vënë në lëvizje për të përforcuar repartin e mbrojtjes me një emër me peshë.
Gjatë bisedimeve me agjentin e njohur Pini Zahavi, përveç interesit për Robert Lewandowskin, në tavolinë është hedhur edhe emri i David Alaba-s.
Mbrojtësi austriak, i cili do të mbushë 34 vjeç muajin e ardhshëm, do të jetë një lojtar i lirë në qershor pas përfundimit të kontratës me Real Madridin. Profili i tij pëlqehet nga trajneri Luciano Spalletti, i cili kërkon lojtarë me përvojë për projektin e ri bardhezi.
Megjithatë, transferimi i Alaba-s në Torino mbart disa pikëpyetje, kryesisht lidhur me gjendjen e tij fizike pas dëmtimeve që e kanë penalizuar në sezonet e fundit në Spanjë.
Nga ana financiare, pengesa e pagës prej 10 milionë eurosh që ai përfiton aktualisht duket e kalueshme, pasi lojtari është i vetëdijshëm se duhet të pranojë një ulje të ndjeshme të rrogës.
Përveç Juventusit, për mbrojtësin austriak interes kanë shfaqur edhe Manchester United, si dhe klube nga MLS dhe Arabia Saudite.