Deri në verën e vitit 2027, Xherdan Shaqiri ka kontratë me Baselin.
Por çfarë do të ndodhë më pas? Trajneri Stephan Lichtsteiner është shprehur qartë në favor të vazhdimit të bashkëpunimit me kapitenin.
Rekordin e tij prej 43 kontributesh direkte në gola, Shaqiri nuk do të arrijë ta përsërisë këtë sezon.
Me 11 gola dhe 10 asistime, kapiteni i Baselit është larg shifrave fantastike të sezonit të kaluar, kur skuadra fitoi titullin dhe Kupën e Zvicrës, megjithatë ai vazhdon të jetë lojtari më vendimtar i ekipit.
“Por sa gjatë do të kenë tifozët e Baselit mundësinë të shijojnë paraqitjet e idhullit të tyre?
Kontrata e Shaqirit skadon në verën e vitit 2027 dhe ende nuk dihet nëse 125-herë reprezentuesi zviceran do të rinovojë sërish me klubin ku u formua si futbollist”, shkruan media zvicerane “Blick”.
Të paktën për sezonin e ardhshëm, Shaqiri pritet të ketë rol qendror në skuadër. Kështu ka deklaruar trajneri Lichtsteiner në një intervistë të gjerë për mediumin zviceran “Blick”.
“Shaqiri është ende një lojtar që mund ta bëjë diferencën në çdo ndeshje.
Loja ime karakterizohet nga intensitet i lartë, por përpiqem ta përshtas edhe sipas tij”, tha trajneri i Baselit.
“Me cilësitë dhe lidershipin që ka, Shaqiri mund të luajë rol shumë të rëndësishëm edhe sezonin e ardhshëm”, tha ai.
Megjithatë, Lichtsteiner theksoi se skuadra nuk duhet të varet kaq shumë nga kapiteni.
“Kjo do ta bënte gjithashtu më të lehtë edhe për të.”
Po çfarë do të ndodhë pas verës së ardhshme?
A e sheh Lichtsteiner Shaqirin pjesë të ekipit edhe pas skadimit të kontratës aktuale?
“Këtë duhet ta vendosin Shaqiri dhe klubi mes tyre.
Unë nuk kam ndikim të madh në këtë çështje. Mund të jap vetëm dëshirën time”, deklaroi ai.
E dëshira e tij është e qartë:
“Ai mund ta ndihmojë çdo ekip.
Nëse dëshiron të vazhdojë të punojë me këtë përkushtim, unë sigurisht që nuk do të thosha jo”.